
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Elbasanit. Bëhet me dije se një 13-vjeçar ka humbur jetën pasi ra nga ballkoni i pallatit. Sipas informacioneve ngjarja ka ndodhur në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.
Bëhet me dije se i mituri vuante nga Somnambulizmi (të ecurit në gjumë). Dhe këtë mëngjes ka rënë aksidentalisht nga ballkoni i pallatit, pasi për fat të keq askush nuk kishte qenë aty që ta ndihmonte.
“Rreth orës 05:15 të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ka rënë aksidentalisht nga ballkoni i pallatit, 13-vjeçari A.M, i cili ka ndërruar jetë. Nga veprimet e para hetimore rezulton se 13- vjeçari kishte probleme me gjumin (vuante nga Somnambulizmi, të ecurit gjatë gjumit) dhe në momentin e rënies nga ballkoni 13 vjeçari ka qenë vetëm në banesë”, njofton policia.
Gjithsesi, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.