E rëndë në Itali, 39-vjeçari shqiptar përplaset për vdekje nga një makinë

E rëndë në Itali, 39-vjeçari shqiptar përplaset…

Një 39-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik rrugor në Itali, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 11 korrikut në provincën e Arezzos.

Viktima është identifikuar si Amarildo Hakorja, i lindur në një fshat të Dibrës dhe banues në Arezzo që prej vitit 2020. Sipas mediave italiane, ai u përplas nga një automjet teksa ndodhej në rrugën rajonale SR71, në zonën e njohur si Il Matto, pranë hyrjes së një kopshti.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat u përpoqën ta rikthenin në jetë 39-vjeçarin, por fatkeqësisht plagët e marra rezultuan fatale dhe mjekët vetëm konstatuan vdekjen e tij. Amarildo do të mbushte 40 vjeç në muajin nëntor.

Rrethanat e aksidentit janë ende duke u hetuar nga Policia e Shtetit italian. Në drejtimin e automjetit ndodhej një i ri banues në Arezzo, i cili, sipas autoriteteve, ndaloi menjëherë pas përplasjes dhe njoftoi shërbimet e emergjencës. Testi i alkoolit i kryer ndaj tij rezultoi negativ.

Prokuroria italiane ka nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa është hapur një dosje për veprën penale të vrasjes rrugore, siç parashikohet nga legjislacioni italian në raste të tilla.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Arezzo, ndërsa familjarët dhe të afërmit e Amarild Hakorjës presin që hetimet të zbardhin plotësisht dinamikën e aksidentit që i mori jetën 39-vjeçarit shqiptar.

JOQ Albania i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të Amarild Hakorjës. U prehtë në paqe!

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit