Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në Ksamil, ku një 20-vjeçar humbi jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonte doli nga rruga.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:10, në rrugën e Plazhit, në zonën e Lagunës, pranë vendit të njohur si “Pema e Thatë”. Viktima është identifikuar si Antonio Mateli, 20-vjeç, banues në Ksamil.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, automjeti tip “Benz” drejtohej nga shtetasi A. Gj., rreth 22-vjeç, i cili dyshohet se humbi kontrollin mbi mjetin, duke dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit, 20-vjeçari Antonio Mateli, i cili udhëtonte si pasagjer, humbi jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe, sipas informacionit paraprak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përcaktimin e shkakut të tij.
Sqarim: Në versionin fillestar të këtij artikulli, bazuar në informacionin paraprak të disponueshëm në momentin e publikimit, titulli referonte se viktima po drejtonte një furgon. Pas publikimit të njoftimit zyrtar të Policisë, artikulli dhe titulli u përditësuan për të pasqyruar me saktësi rrethanat e ngjarjes, sipas të cilave 20-vjeçari ishte pasagjer në automjetin e aksidentuar.