E rëndë në Roskovec: Pa sherrin e të birit, 69-vjeçari pëson arrest kardiak dhe ndërron jetë

E rëndë në Roskovec: Pa sherrin e…

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Roskovec, ku një 69-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se pësoi arrest kardiak teksa ishte dëshmitar i një konflikti ku ishte përfshirë djali i tij.

Viktima është identifikuar si Baftjar Vrapi, banues në Roskovec. Ai u transportua pa shenja jete në Qendrën Shëndetësore të Roskovecit, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se nuk ka qenë pjesë e sherrit.

Sipas Policisë, 69-vjeçari ndodhej në vendngjarje kur djali i tij u përfshi në një konflikt të çastit me një shtetas tjetër. Dyshohet se tronditja e fortë emocionale gjatë ngjarjes i ka shkaktuar arrest kardiak, duke i marrë jetën.

Burime nga hetimet paraprake bëjnë me dije se konflikti mes dy personave dyshohet të ketë nisur për motive të dobëta, të lidhura me prerjen e druve. Debati më pas ka degraduar në përplasje, ndërsa i moshuari, që po ndiqte situatën, është ndjerë keq dhe është rrëzuar.

Pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë mjekësore, 69-vjeçari nuk ka mundur të shpëtohet.

Pas ngjarjes, djali i viktimës dhe personi tjetër i përfshirë në konflikt janë shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit