E rëndë në Tiranë/ Gruaja hidhet nga ballkoni për t’i shpëtuar dhunës së burrit

E rëndë në Tiranë/ Gruaja hidhet nga…

Policia ka arrestuar sot 11 persona për vepra të ndryshme penale. Një 33-vjeçar u arrestua pasi ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij. E frikësuar nga dhuna, ajo është hedhur nga ballkoni i banesës duke pësuar dëmtime trupore. E reja ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i plotë

Vihen në pranga 11 shtetas dhe procedohen 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 arrestuan në flagrancë për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”, shtetasit S. K., 27 vjeç dhe A. K., 21 vjeç (vëllezër), sepse nuk kanë kallëzuar për identitetin e një shtetasi tjetër (ende i paidentifikuar) i cili ka goditur punonjësin e Policisë, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, për shkak të detyrës. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës bënë ekzekutimin e vendimit penal, për shtetasin në kërkim A. P, 39 vjeç( i kapur nga Seksioni i kërkimit) pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka caktuar masën së sigurimit personal ”Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. B, 56 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, Forca e Posaçme “Shqiponja” gjeti dhe sekuestroi një armë të ftohtë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 38 vjeç, pasi në rrugën “Dedë Gjon Luli”, i ka vjedhur me dhunë një shtetaseje, një aparat celular dhe një varëse floriri.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 33 vjeç, pasi në rrugën “Memo Meto”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, e cila është ndjerë e frikësuar dhe është hedhur nga kati i dytë i banesës. Aktualisht kjo shtetase ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

B. K., 46 vjeç, A. D., 43 vjeç, B. D., 52 vjeç dhe B. B., 42 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur;

E. L, 36 vjeç, pasi dyshohet se duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përfshirë në një aksident vetëm me dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë procedimin në gjendje të lirë të shtetasve:

G. M, 22 vjeç, pasi në rrugën “Ibrahim Rugova”, pas përfundimit të ndeshjes, ka goditur me grusht shtetasit A. D dhe R. S;

K. Sh, 21 vjeç, pasi në kryqezimin e “21 Dhjetorit”, pas përfundimit të ndeshjes ka goditur me grusht shtetasin E. K.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit