E rëndë në Zvërnec, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti pas aksidentit me motorin me katër rrota

E rëndë në Zvërnec, humb jetën gazetari…

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Zvërnecit, në afërsi të Porto Novës, ku ka humbur jetën në moshën 40-vjeçare gazetari i News24, Enrik Mehmeti.

Sipas informacioneve paraprake, Mehmeti ishte duke lëvizur me një motor me katër rrota (ATV), kur, për shkaqe që ende nuk janë sqaruar plotësisht, dyshohet se humbi kontrollin e mjetit. Si pasojë, motori u përmbys dhe u rrokullis disa herë.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se gjatë aksidentit, gazetari ka pësuar dëmtime të rënda në kraharor dhe organet jetësore, pasi është goditur nga pjesë të mjetit.

Menjëherë pas ngjarjes, 40-vjeçari u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Enrik Mehmeti ishte gazetar i News24 dhe prej vitesh raportonte ngjarjet nga qarku i Vlorës.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Ngushëllime familjes, të afërmve dhe kolegëve të Enrik Mehmetit për këtë humbje të parakohshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit