Pas më shumë se 3 vitesh nga vrasja e 21-vjeçares Sonila Cani në Torino të Italisë, autoritetet italiane kanë zhvillime të reja të rëndësishme lidhur me këtë dosje. Hetimi i udhëhequr nga prokurorja Valentina Sellaroli ka zbuluar një grup shqiptar të përfshirë në rrjetin e prostitucionit, që ka hedhur dritë mbi dyshimet fillestare. Ajo që dukej si një vetëvrasje e Sonilës, tani është sqaruar, duke konfirmuar se ajo ishte shtyrë të ndërmerrte këtë akt tragjik, për shkak të kushteve dhe presionit të krijuar nga grupi kriminal.

Në kuadër të hetimeve, prokurorja dhe gjyqtarja Francesca Pani kanë arritur në konkluzionin se Sonila u detyrua të kryente vetëvrasje. Hetimi i fundit ka çuar në zbardhjen e një rrjeti prostitucioni që përfshinte vajza shqiptare në Torino, ndërkohë që janë lëshuar 5 masa sigurimi për 16 persona të dyshuar, duke përfshirë këtu dhe bashkëshortin e Sonilës, Kreshnik Cani. Ky i fundit po hetohet për nxitje drejt vetëvrasjes dhe shfrytëzim prostitucioni, pasi është akuzuar edhe nga prindërit e Sonilës për shfrytëzimin seksual të saj.

Mediat italiane, përfshirë “La Stampa” dhe “Corriere della Sera”, kanë pasqyruar me detaje hetimet e prokurorisë, duke zbuluar se vajzat shqiptare që shfrytëzoheshin për prostitucion në Torino, ishin nën presion psikologjik dhe mbaheshin në kushte të mjerueshme. Hetimet për këtë grup kriminal, që filluan pas një grabitje të një prostituese shqiptare në maj 2022, zbuluan se grupi organizonte shfrytëzimin e vajzave dhe mbante nën kontroll të ardhurat e tyre, duke përdorur lidhje sentimentale të rreme si një mjet manipulimi.