E takoi dy herë rastësisht në furgon, djali nga Laçi apel vajzës: Më ke mbetur në mendje, dua të të shoh edhe një herë!

E takoi dy herë rastësisht në furgon,…

Një kërkesë e veçantë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një i ri nga Laçi, i cili shpreson që me ndihmën e qytetarëve të gjejë një vajzë që e takoi rastësisht në furgonin e linjës Laç–Tiranë.

Ai tregon se gjithçka nisi krejt rastësisht, kur u ulën pranë njëri-tjetrit gjatë udhëtimit dhe nisën të bisedonin. Edhe pse nuk njiheshin më parë, ai thotë se pati ndjesinë sikur e njihte prej kohësh.

Në atë periudhë, ai po ndiqte një kurs privat për shef kuzhine, ndërsa vajza po përfundonte studimet bachelor për Administrim Biznesi. Të dy u prezantuan dhe zbuluan se emrat e tyre fillonin me të njëjtën shkronjë, “E”.

Pas rreth një jave, fati i bëri të takoheshin sërish në të njëjtin furgon. Biseduan më gjatë, u njohën më mirë dhe, sipas djalit, ajo i la përshtypje për thjeshtësinë dhe çiltërsinë e saj, cilësi që, siç shprehet ai, janë të rralla në ditët e sotme.

Ata u ndanë me premtimin se do të takoheshin përsëri, por që prej 20 prillit ai nuk e ka parë më. Pavarësisht përpjekjeve për ta gjetur, nuk ka mundur të bjerë më në gjurmët e saj.

Përmes JOQ Albania, ai dëshiron t’i përcjellë këtë mesazh:

“Nëse e lexon këtë, dua të të them se më ke mbetur në mendje dhe do të doja të të njihja më tepër. Ndjej sikur historia jonë mbeti përgjysmë. Besoj te rastësitë dhe mendoj se nuk ishte pa arsye që u takuam dy herë. Nuk dua ta humbas këtë mundësi pa të parë edhe një herë, qoftë edhe për herë të fundit.”

Nëse vajza e njeh veten në këtë histori, ose nëse dikush ka informacion që mund t’i ndihmojë të lidhen sërish, mund të kontaktojë redaksinë e JOQ Albania. Ndoshta kjo histori nuk e ka thënë ende fjalën e fundit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit