Pas rreth pesë orësh arrati, Policia ka mundur të arrestojë 29-vjeçarin Sokrat Vata, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit francez në Ksamil.
Vata është lokalizuar në aksin Levan–Fier, ku policia kishte ngritur një pikë kontrolli për kapjen e tij. Operacioni u zhvillua nga efektivët e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” në Fier.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, i riu po udhëtonte në një automjet me dy shtetas turq, një 31-vjeçare dhe një 38-vjeçar. Për t’i shpëtuar kontrolleve, ai dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e makinës, ndërsa 31-vjeçarja ishte në timon e 38-vjeçari pasagjer.
Gjurmimi i telefonit dyshohet se ka qenë një nga elementët që ndihmuan uniformat blu për të lokalizuar lëvizjet e tij pas largimit nga Ksamili. Sinjali i pajisjes është ndjekur deri në zonën e Fierit, ku më pas është bërë e mundur kapja e tij.
Nga hetimet paraprake dyshohet se përplasja ka nisur pas një konflikti mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Sipas burimeve, shkak i sherrit dyshohet të ketë qenë ngacmimi i një vajze që ndodhej në shoqërinë e grupit.
Pas përplasjes, situata ka agravuar deri në përdorimin e armës, duke shkaktuar vdekjen e 20-vjeçarit francez dhe plagosjen e një tjetër shtetasi të huaj.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Vata punonte si bodyguard.
29-vjeçari dhe dy shtetasit turq janë shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor vijon punën për të zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes, motivin e konfliktit dhe rolin e personave që dyshohet se e ndihmuan autorin e dyshuar të largohej nga Ksamili.