Noela Caka, 17 vjeçe, nxënëse e gjimnazit “Leonik Tomeo” në Durrës, ndërroi jetë si pasojë e meningjitit akut. Pas ngjarjes, autoritetet shëndetësore kanë nisur hetimin për të identifikuar personat që kanë pasur kontakte me të, ndërsa ambientet e shkollës do të dezinfektohen.
Mësohet se javën e kaluar Noela kishte qenë me klasën në një ekskursion në Voskopojë. Të mërkurën, më 11 dhjetor, ajo shfaqi simptoma të një gjendjeje virale që, sipas prindërve, kaloi shpejt. Të enjten dhe të premten ishte mirë, por të shtunën gjendja u rëndua papritur, duke shfaqur dhimbje të forta koke dhe të vjella. Ajo u dërgua fillimisht në spitalin e Durrësit dhe më pas në shërbimin infektiv të QSUT, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Pas kësaj tragjedie, stafi i gjimnazit “Leonik Tomeo” shprehu ngushëllimet për humbjen e nxënëses së tyre përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta, të nxënëses tonë N.C., për arsye shëndetësore. Të gjithë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit të mirës, të dashurës, të qeshurës, piktores tonë N. Është e vështirë të përshkruhet dhimbja që ndiejmë të gjithë. Ky ishte një lajm i pabesueshëm. Nuk është e lehtë të gjenden fjalët kur zemra është e rënduar nga humbja. N., do të na mungosh pafundësisht por do të jesh gjithmonë në zemrat tona. Qoftë shpirti yt në paqe! Ngushëllime familjarëve!”– thuhet në reagimin e shkollës.