Edhe 650 mln Euro... Rama, i kënaqur se po zhyt Atdheun në borxhe

Edhe 650 mln Euro… Rama, i kënaqur…

Nuk kishim as dyshimin më të vogël se edhe këtë herë Edi Rama do ta shiste për supersukses atë që në fakt tregon mjerimin e vendit.

Në një konferencë maratonë shqypi, siç vetëm ai di ti mbajë, kryeministri Rama është shfaqur i lumtur sot para gazetarëve të ekonomisë, duke thënë se kishte marrë plot 650 milionë euro të tjera borxhe nga tregjet ndërkombëtare.

Rama e ka konsideruar si “një një lajm shumë të mirë” atë që vinte prej tregjeve ndërkombëtare të kapitalit për marrjen e një borxhi të ri nëpërmjet eurobondit.

“Kemi arritur një rezultat që na inkurajon jashtëzakonisht shumë dhe që garanton planin e ri kombëtar ‘Shqipëria 2030’, për një transformim të mëtejshëm ekonomik dhe social duke adresuar rindërtimin”,- tha Rama në lidhje me marrjen e borxhit.

Sipas tij, “ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë në tregjet e kapitaleve, është që merr vlerësimin për situatën në aspektin e të gjitha parametrave ekonomik”.

Por megjithse i ngazëllyer se thelloi borxhin për shqiptarët dhe nuk po mund të realizojë dot mirëqënie ekonomike, Rama nuk ka kursyer as batutat e hidhura për opozitën.

“Më vjen keq që ky lajm i jashtëzakonshëm nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Opozita ka vazhduar një avaz që në këtë rast nuk shkon fare, pasi bëhet fjalë për Shqipërinë, për shtetin dhe për popullin shqiptar. Nuk diskutohet që është meritë e qeverisë që ne dalim me këtë vlerësim nga tregjet kapitale pas dy goditjeve”,- tha më tej Rama.

“Më vjen keq që flitet në mënyrë të ngjashme me fluturimin e atyre balonave tabake pa bisht. PD flet për gëzim pse morëm borxh. Ndërkohë që duhet të hidhëroheshim, sepse edhe ata janë hidhëruar.

Nuk është kështu, krejt e kundërta është e vërtetë. ne kemi marrë një konfirmim nga tregjet. Kjo na bën një vend të besueshëm, na jep mundësinë të zgjerojmë bazën tonë të financimit të ekonomisë dhe financimeve.

Kur vendi del në tregjet e kapitaleve është në një proces të hapur ku synimet jo gjithmonë përputhen. Kur qeverisnin ata që sot janë të hidhëruar që gjatë procesit të daljes në treg hyri për 7 dhe doli për 11. Pra doli me një barrë të tmerrshme”,- tha Rama.

Por sipas revistës profesionale ekonomike “Monitor”, kuponi për eurobondin ka rezultuat 3.5% ndërsa norma e interesit 3.625. Oferta e investitorëve ka qenë 3.2 miliardë gati 5 herë më e lartë se kërkesa e bërë nga Shqipëria, e cila morri 650 milionë euro.

Kjo tregon për një likuiditet të lartë në treg, një llogaritje të saktë të momentit të daljes në treg dhe një perceptim të investitorëve se akumulimi i një totali prej 1.3 miliardë eurosh, ku në këtë lloj instrumenti nuk është një risk i lartë për një ekonomi si Shqipëria.

Ende nuk është e qartë sesa është pjesa që kanë blerë bankat vendase, por variantet që u diskutuan parimisht ishte 1/3 e kërkesës që do të vinte nga këto banka, ose 1/3 e vlerës së eurobondit, por nuk saktësohet se cilin nga këto opsione ka zgjedhur qeveria shqiptare.

Emetimi i këtij eurobondi pritet të ulë ndërkohë kërkesën e qeverisë për të emetuar në tregun e brendshëm, duke bërë që presioni mbi normat e interesit të letrave me vlerë (bono thesari dhe obligacione) të jetë i ulët.

Për ekspertët mbetet i paqartë ndikimi që do të ketë në ekonomi pjesa e eurobondit, për aq kohë sa e sigurt për destinacionin mbetet vetëm vlera prej 200 milionë euro që shkon në nëntor, për të shlyer maturimin e eurobondit të kaluar.

Të paktën 450 milionë euro ende nuk janë deklaruar se ku do të shkojnë, edhe pse fillimisht pas tërmetit të 26 nëntorit Ministria e Financave deklaroi se, një pjesë do e orientonte edhe drejt rindërtimit./Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit