Një tjetër incident i rëndë është regjistruar gjatë protestave në kryeqytet, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë janë përshkallëzuar. Situata në terren paraqitet e tensionuar, ndërsa përdorimi i mjeteve të forcës nga policia ka shkaktuar të lënduar mes protestuesve.
Një i ri ka mbetur i plagosur rëndë pasi është goditur në syrin e majtë nga një plumb gome, i dyshuar se është qëlluar nga forcat e rendit. Sipas raportimeve nga vendngjarja, atij po i jepet ndihma e parë nga qytetarët e pranishëm dhe studentë të mjekësisë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet për t’u konfirmuar.
Ndërkohë, raportimet nga terreni bëjnë me dije se numri i të lënduarve nga plumbat e gomës dhe gazi lotsjellës po rritet nga minuta në minutë. Situata vijon të mbetet e paqëndrueshme, ndërsa priten informacione të mëtejshme lidhur me bilancin e të plagosurve dhe zhvillimet e fundit të protestës.