Edhe Putin mbajti zi për viktimat në aksidentin në Bullgari, vetëm Shqipëria jo

Edhe Putin mbajti zi për viktimat në…

Enver Robelli

Edhe Vladimir Putini shprehu keqardhje për gati 50 shqiptarë të vdekur në aksidentin e tmerrshëm afër Sofjes në Bullgari. Ditë zie shpallën Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria. Shqipëria nuk e pa të nevojshme një gjest të tillë, pra të shpallë ditë zie. Ka diçka të kalbur në elitat politike në Tiranë. Dhe ky është, në radhë të parë, problem i qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë që zgjedhin figura jodinjitoze në pushtet. Krahasojeni mungesën e gjestit për viktimat shqiptare nga Maqedonia e Veriut me propagandën qeveritare të Tiranës kur Serbia i dërgoi nja 10 zjarrfikës për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit. (Kosova dërgoi forca ushtarake, me atë rast). Sot u bë shumë propagandë se tani me një aplikim të thjeshtë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës mund të pajisen me leje qëndrimi dhe leje të punës në vendet përkatëse. Por gjysma tjetër e së vërtetës është se në kuadër të projektit “Ballkani i Hapur” qytetarëve të Serbisë u lejohet e drejta e punës dhe qëndrimit në Shqipëri pa gati asnjë procedurë burokratike. Nga Smedereva në Sarandë – pa asnjë pengesë. Nga Dimitrovgradi në Durrës – po ashtu pa problem. Nga Kikinda në Korçë – nema problema! Nga Beogradi në Berat – pse jo!? Në rrethana normale, pra nëse Serbia do të pranonte Kosovën si shtet, kjo nuk do të ishte edhe aq problem, por në situatën aktuale ky favorizim aq i madh i Serbisë nga Tirana është neveritës. Rrjedhimisht, në sezonet e ardhshme turistike në bregdetin shqiptar do të kumbojë edhe më shumë muzika e Cecës dhe Dragana Mirkoviqit dhe do të ketë gjithnjë e më shumë lokale që ofrojnë “Leskovačka mućkalica”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit