Dhjetëra qytetarë janë mbledhur këtë të martë para Gjykatës në Pejë, duke kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, 49-vjeçaren që u vra më 25 tetor në Vitomiricë, dyshohet nga kunati i saj, Albert Sylaj, me sëpatë
Rasti ka tronditur opinionin publik, veçanërisht për faktin se Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet vetëm pak ditë përpara se të vritej. Më 22 tetor, ajo i ishte drejtuar Prokurorisë në Pejë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e saj dhe duke kërkuar ndërhyrje për zbatimin e një vendimi gjyqësor që lidhej me kthimin në shtëpinë e përbashkët.
Vetëm tri ditë më vonë, ajo humbi jetën. Sipas informacioneve të bëra publike nga Prokuroria, Arlinda ishte kthyer në banesë e shoqëruar nga policia rreth orës 21:00. Pak minuta më pas, autoritetet u njoftuan se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë. I dyshuari për vrasjen ndodhet në arrati, ndërsa institucionet kanë nisur verifikimet për të sqaruar nëse ka pasur përgjegjësi apo dështime në trajtimin e rastit.
Me fotografitë e Arlindës në duar, protestuesit kërkojnë që kjo vrasje të mos mbetet vetëm një tjetër rast që trondit publikun dhe më pas harrohet. Ata kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes, përgjegjësi për çdo neglizhencë të mundshme dhe drejtësi për një grua që kishte kërkuar mbrojtje përpara se të ishte tepër vonë.