Edi Rama pret personalisht në aeroport vaksina për 585 persona: Jemi në lartësinë e detyrës!

Edi Rama pret personalisht në aeroport vaksina…

Kryeministri Edi Rama, ka pritur personalisht në aeroportin Nënë Tereza, 1170 doza vaksinash nga Pfizer/BionNTech, që do të shërbejnë për vaksinimin e 585 personave, duke qenë se për çdo qytetar duhen nga dy doza për të siguruar imunitet deri në masën mbi 90%.

Rama është shfaqur në një konferencë nga një sallë e aeroportit, i shoqëruar nga ministrja Manastirliu dhe ministri i rindërtimeve dhe fatkeqësive të tjera, Arben Ahmetaj.

Kryeministri u shpreh i kënaqur me mbërritjen e këtyre dozave dhe tha se qeveria është në lartësinë e detyrës.
Kryeministri premtoi se doza të tjera do të vijnë deri në fund të këtij muaji, por nuk deshë të japë një afat, duke qenë se afati që dha për ardhjen e këtyre dozave, në javën e tretë të janarit, dështoi.

Sot Pfizer lëvron dozat e para të cilat janë 1170 doza, që do të thotë që fusin në proces vaksinimi përveç atyre që kanë marrë dozën e parë edhe 1170 të tjerë dhe ndërkohë zotimi nga Pfizer është që brenda muajit, pra në javët në vijim, nuk po jap data se u bë histori ndryshimesh të vazhdueshme, por brenda muajit shkurt do të vijnë dozat e angazhuara, qoftë 10 mijë dhe 30 mijë. 

Në momentin që kemi rradhën e ardhshme për të marrë dozat e tjera, që do të priten në mënyrë transparente, do të hyjmë në proces edhe për ata që janë moshat më të thyera sipas planit që ka bërë Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, jemi shumë afër finalizimit të kontratës me kompaninë AstraZeneca. 

Nuk dua të jap më shumë detaje sepse çdo detaj mund të ndryshojë nesër, jo për shkakun tonë, por jemi optimistë që do të kemi sasi të konsiderueshme dhe do të mund të ecim për të realizuar skenarin e parë. 

Jam i bindur që jemi në lartësinë e detyrës!”, tha Rama.

Rama u pyet edhe për vaksinën Ruse, Sputnik V dhe atë kineze, por tha se Shqipëria do të vijojë të jetë e mbyllur për këto dy opsione, për sa kohë Bashkimi Europian nuk i ka pranuar.

Asnjë paragjykim të natyrës shkencore, respekt për shkencëtarët që i kanë dhënë jetë këtyre vaksinave, por zgjedhja jonë është që do të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Ka shumë komponentë. Nëse BE do të hapet ndaj këtyre vaksinave, do të rishikojmë këtë qasje. Sa kohë BE është e mbyllur për këto opsione jemi në të njëjtin pozicion me BE“, tha Rama.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit