Egjipt/ Zbulohet statuja e sfinksit, besohet se përfaqësonte një perandor romak

Egjipt/ Zbulohet statuja e sfinksit, besohet se…

Arkeologët kanë zbuluar një statujë të ngjashme me sfinksin “me një fytyrë të buzëqeshur” pranë një tempulli të lashtë në Egjiptin jugor.  Artefakti i gurit gëlqeror, që besohet të jetë një përfaqësim i një perandori të lashtë romak, është shumë më i vogël se Sfinksi i famshëm në Piramidat e Gizës.

Ajo u gjet së bashku me mbetjet e një faltoreje brenda një varri me dy nivele në tempullin e Dendera në provincën Qena, 450 km në jug të kryeqytetit të Kajros. Ministria e antikiteteve egjiptiane tha se sfinksi u zbulua pranë Tempullit Hathor, një nga vendet e lashta më të ruajtura në Egjipt.

Faltorja përfshin një platformë me dy shtresa dhe një vend me tulla balte nga epoka bizantine, ndërsa arkeologët gjetën gjithashtu një pllakë guri të epokës romake me mbishkrime demotike dhe hieroglife.

Pasi të deshifrohet plotësisht, studiuesit shpresojnë se pllaka, mund të hedhë dritë mbi identitetin e sundimtarit të skalitur, për të cilin ekipi hulumtues egjiptian tha se mund të ishte perandori Klaudi, raporton Daily mail.

Ai zgjeroi sundimin romak në Afrikën e Veriut midis 41 dhe 54 pas Krishtit dhe pushtoi Britaninë në vitin 43 pas Krishtit. Tempulli Hathor ishte shtëpia e Zodiakut Dendera, një hartë qiellore, që është shfaqur në Luvër në Paris që nga viti 1922. 

Megjithatë, Egjipti tani e dëshiron atë, së bashki me gurin Rosetta nga Muzeu Britanik.

Vendi ka bërë disa zbulime të mëdha arkeologjike muajt e fundit, kryesisht në nekropolin Saqqara në jug të Kajros, por edhe në Giza, shtëpia e strukturës së vetme të mbijetuar nga shtatë mrekullitë e botës antike.

Javën e kaluar, ministria e antikiteteve njoftoi zbulimin e një korridori të fshehur prej 9 metrash brenda Piramidës së Madhe të Gizës, për të cilën arkeologu Zahi Hawass tha se mund të çojë në ‘dhomën aktuale të varrimit’ të faraonit Khufu ose Keopsit.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit