Egnatia ka regjistruar një nga arritjet më të mëdha në historinë e futbollit shqiptar. Fitorja spektakolare 5-1 ndaj Shamrock Rovers i ka dhuruar skuadrës së Rrogozhinës një biletë historike për në fazën e ligës të një kompeticioni europian.
Rrogozhinasit përmbysën humbjen 3-1 të ndeshjes së parë dhe jo vetëm siguruan vazhdimësinë në Europa League, por garantuan matematikisht edhe pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League.
Kështu, Egnatia ka siguruar për herë të parë në historinë e klubit një vend në fazën kryesore të një kompeticioni europian. Një sukses që e vendos ekipin shqiptar përkrah skuadrave që prej vitesh janë pjesë e skenës ndërkombëtare.
Për të gjetur një klub shqiptar që kishte arritur më parë në fazën e grupeve të Europa League, duhet të kthehemi te Skënderbeu në sezonin 2017/18.
Korçarët siguruan kualifikimin pasi eliminuan Dinamo Zagrebin në play-off. Sfida e parë në Kroaci përfundoi 1-1, ndërsa ndeshja e kthimit në Korçë u mbyll 0-0, rezultat që i dha Skënderbeut kalimin më tej falë golit të shënuar në transfertë.
Në fazën e grupeve, Skënderbeu u përball me Dinamo Kyiv, Partizanin e Beogradit dhe Young Boys.
Tashmë, pas nëntë vitesh, Egnatia është skuadra që rikthen një klub shqiptar në këtë nivel të futbollit europian.
Por rrogozhinasit nuk duan të ndalen vetëm te Conference League. Pas mbrëmjes magjike ndaj Shamrock Rovers, Egnatia do të kërkojë të bëjë një tjetër hap të madh drejt Europa League, ku në play-off do të përballet me norvegjezët e Lillestrom.
Nga Skënderbeu në vitin 2017 te Egnatia në vitin 2026 – futbolli shqiptar rikthehet fuqishëm në skenën europiane.