
Më 2 gusht 2027, një eklips total diellor do të zhysë për gjashtë minuta në errësirë zona të tëra të botës, duke krijuar një spektakël të rrallë astronomik.
Në verën e vitit 2027, bota do të përjetojë një nga fenomenet më të rralla dhe më mahnitëse të shekullit: një eklips total diellor që pritet të zgjasë 6 minuta e 23 sekonda. Ky spektakël qiellor do të jetë më i gjati i shekullit të 21-të dhe nuk do të përsëritet në të njëjtën formë para vitit 2114. Astronomët në mbarë globin po përgatiten intensivisht për këtë ngjarje.
Eklipsi do të ndodhë më 2 gusht dhe falë një shtrirjeje të rrallë gjeometrike mes Tokës, Diellit dhe Hënës, do të prodhojë një errësirë të plotë në mes të ditës, për më shumë se gjashtë minuta. Për shumë studiues dhe vëzhgues, ky është një rast i artë për të dokumentuar dhe analizuar në detaje këtë dukuri të jashtëzakonshme.
Rruga e hijes së Hënës do të përshkojë mbi 15 mijë kilometra. Ajo do të nisë nga Oqeani Atlantik, do të kalojë përmes Mesdheut, do të prekë disa vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Lindore, përpara se të zhduket në thellësitë e Oqeanit Indian. Në këtë rrugë, miliona njerëz do të kenë mundësinë të përjetojnë momentin kur dita shndërrohet në natë.
Disa prej vendeve ku fenomeni do të jetë më i dukshëm përfshijnë Spanjën (sidomos qytetet si Cadiz dhe Malaga) dhe Marokun (Tangier dhe Tetouan), ku eklipsi do të zgjasë rreth katër minuta. Në Libi dhe Bengazi, errësira do të vijojë për pesë minuta, ndërsa kulmi i ngjarjes pritet të ndodhë në shkretëtirat e Egjiptit, vetëm 40 kilometra nga Luksori, ku errësira do të zgjasë plot 6 minuta e 23 sekonda.
Pas Egjiptit, hija do të vazhdojë lëvizjen e saj drejt Lindjes, duke përfshirë Detin e Kuq, qytetet Xheda dhe Mekë në Arabinë Saudite, Jemenin dhe Somalinë, përpara se të zhduket mbi ujërat e thella të Oqeanit Indian.
Edhe jashtë zonës së eklipsit total, shumë vende do të përjetojnë një eklips të pjesshëm. Pothuajse gjithë Europa, Afrika Veriore dhe Lindore, si dhe pjesë të mëdha të Azisë Perëndimore do të kenë mundësi të shohin këtë ngjarje qiellore në formën e një zbehjeje të pjesshme të dritës së diellit.
Ky fenomen nuk është thjesht një spektakël për sytë, por edhe një mundësi e çmuar për komunitetin shkencor. Me teleskopët dhe kamerat gati, bota do të ndalë frymën për gjashtë minuta, për të ndjekur një nga misteret më të bukura të natyrës.