"Ekonomia e dijes"/ Ilir Kalemaj: Indiferenca, padija dhe superheronjtë

“Ekonomia e dijes”/ Ilir Kalemaj: Indiferenca, padija…

Ilir Kalemaj ka bërë një postim në Facebook, teksa shkruan se edukimi politik i popullatës është i dobët. Sipas Kalemajt, vendi ynë ka shkallën më të papërfillshme të impaktit të teknologjisë dhe inovacionit në ekonomi.

Ilir Kalemaj

Përsa i përket edukimit financiar jemi të fundit në Europë, ku ende është në shifrat e papërfillshme të 14 përqindëshit të popullatës sipas vlerësimit të paradokohe të “Standard and Poor’s”. Në “ekonominë e dijes”, pra lidhjen që kanë kurrikulat arsimore në veçanti ato të arsimit universitar dhe pasuniversitar me tregun e punës jemi gjithashtu ndër të fundit në Europë. Kemi shkallën më të papërfillshme të impaktit të teknologjisë dhe inovacionit në ekonomi, financojmë më pak se 0.02 përqind të prodhimit të përgjithshëm bruto për kërkimin shkencor ku krejt sistemi arsimor në vend merr vetëm 2.3-2.4 përqind të PBB-së, për mos të folur për cilësinë dhe parametrat minimalë të saj.

Edukimi politik i popullatës është gjithashtu i dobët, ku pavarësisht mungesës së matjeve konkrete, vetëm një pakicë e mirëarsimuar mund të definojë me saktësi apo përafërsi nëse bindjet e tij/saj janë progresive apo konservatore, liberale apo libertariane, socialiste apo nacionaliste, të moderuara apo ka qasje ambjentaliste e kështu me radhë. Pjesa tjetër duket si e zhytur në terr informativ nga njëra anë apo kanë një alienim të përgjithshëm nga interesi publik ndonëse konsumojmë politik më shumë se çdo vend tjetër për frymë.

Përveç anketave tip në këto raste do vlenin shumë dhe fokus grupe, intervista gjysëm të strukturuara dhe elementë të tjerë metodologjikë që do hidhnin dritë sadopak mbi paqartësitë në masë dhe do ju vlenin në radhë të parë vetë politikanëve në përdorimin e një gjuhe të përshtatshme publike dhe retorike politike por edhe në formulimin e politikave publike. Pasi politika, ashtu sikundër dhe media duhet të kenë edhe qëllim edukues, ashtu sikundër duhet të kenë bankat, firmat dhe korporatat për edukimin financiar të popullsisë, libraritë, bibliotekat dhe teatri në përgjithësi për edukimin kulturor e kështu me radhë.

Vetëm një publik i kultivuar, me sens gjykimi të shëndoshë mbi të përbashkëtën, i informuar për zgjedhjet individuale në mënyrë që të veprojë në kushte racionaliteti dhe jo asimetrie informacioni, mund të jetë i dobishëm së pari për veten dhe mandej për shoqërinë. Ndryshe, sensi i anomisë kolektive, ku secili sheh bahçen e vet, por bën ekspertin për gjithçka që nuk i përket apo nuk prek direkt apo indirekt interesin e tij, do vazhdojnë të në zhysin në të njëjtin batak, ku politika apo më saktë politikanët do na shfaqen si superheronj të cilët shpëtojnë ditën për miletin.

I zoti e nxjerr gomarin nga balta dhe nuk duhen lënë në duart e të papërgjegjshmëve të vazhdojnë të kenë edhe gurin, edhe arën. Por duke i vënë para përgjegjësisë dhe duke theksuar nevojën për politika publike të dobishme, secili nga ne ka fuqinë të bëhet llogari-kërkues, në radhë të parë për interesin e tij apo të saj, për të pasur më tepër kontroll mbi atë që qeveris jetët tona.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit