Ekskluzive/ FOTO: Banorëve u merret uji. Në Zall Gjocaj, HEC-i privat po shkatërron natyrën

Ekskluzive/ FOTO: Banorëve u merret uji. Në…

Në lumin e Zall Gjocajt po vijon me shpejtësi masakra natyrore, në një kohë që banorëve të zonës po u merret uji i pijshëm. Denoncimet e qytetarëve të ndryshëm dhe banorëve të zonës vijojnë të vijnë në adresën tonë, në lidhje me shkatërrimin që po i bëhet zonës së lumit në Zall Gjocaj, midis Matit dhe Mirditës.

Po ashtu, fotot dhe videot, si dhe provat ligjore nga avokatët që janë në mbrojtje të kauzës së banorëve të zonës, janë të shumta. Por edhe pse ligji po shkelet me të dyja këmbët, duke favorizuar në subjekt privat me gjasë me lidhje të forta me shtetin, banorëve po u mohet një e drejtë jetike dhe thelbësisht njerëzore.

Nga ana tjetër ajo që po pëson një dëm të parikuperueshëm është natyra e zonës. Por deri tani ministritë e linjës kanë heshtur, ndërsa kompania që po ngre aty një HEC, arriti të gjejë “të drejtën” edhe në Gjykatën Administrative në Tiranë.

Por banorët e zonës nuk dorëzohen dhe po vijojnë me intensitet përpjekjet për ta mbrojtur natyrën dhe ujin e vendlindjes së tyre.

Një prej tyre ka dërguar në adresën e “Gazetaatdheu.com” edhe këtë reagim së bashku me një video dhe disa foto që tregojnë qartë masakrën në natyrë.

Ja mesazhi i plotë i banorit të zonës së “Zall Gjocaj”:

“Mirmbrema desha tju dergoj ca foto te parkut kombetar Zall Gjocaj, si ishte dhe si e kan katandisur.

Mbas gjith ktyre shkatrrimeve sot ne gjykaten administrative u dha vendimi qe heci qe po zhvillohet mbrenda parkut te vazhdoje punimet pa marre parasysh as qe ket uje e pin banoret, as qe eshte park kombetar dhe ruhet me ligj sepse ligjin e ben edi rama bashke me te tjeret si te duan vete…”

Më herët për këtë çështje “Gazetaatdheu.com” hulumtoi dhe morri kontakte për më tepër dokumentacion edhe me personat që kanë organizuar protestat e ndryshme për këtë kauzë, por edhe me personat që kanë bërë të mundur mbrojtjen ligjore.

Sipas ambientalistit Sazan Guri, një prej njerëzve që ka dalë në krah të banorëve të zonës, por dhe ka organizuar gjithë kuadrin e argumenteve ligjore, masakra mjedisore që po i bëhet dy lumenjve, është e frikshme dhe me pasoja të rënda për natyrën e zonës.

“Mbrojtja e lumenjve Flim dhe Urakë të Matit dhe Mirditës, është mbi baza ligjore dhe prova shkencore. Ngritja e HEC-it është pa studim por me firma dhe vula shtetërore. Ky investim është bërë pa matje reale të sasisë së ujërave që duhet të bëheshin, mbi të cilën pastaj del detyrimi për lënien e sasisë ekologjike, e sasisë për ujë të pijshëm dhe ajo e sasisë për ujëra bujqësore”,- ka thënë për “Gazetaatdheu.com” ambientalisti dhe avokati Sazan Guri.

 Sipas tij, “dokumentet për këtë HEC janë qëndisur, me firma dhe vula, por të ngritura mbi rërë, se nuk kanë bazë shkencore dhe matje në njërin lumë si ky i Flimit”.

Sipas ekspertëve, janë disa pika ku ligji shkelet me të dyja këmbët në këtë “skandal mjedisor” siç e quajnë ata:

  1. Merret uji përjetësisht nga një lumë si Flimi, duke e tharë shtratin e tij përfundimisht, si dhe duke e çuar atë me tuba e tunel në një mal prapa, ku dalja e tij prodhon energjinë me anë të HEC-it të ‘Zais’-it prej rreth 2MË.
  2. Merret uji përjetësisht nga një lumë si Uraka, mbasi uji del nga “HEC- Zais”, duke e çuar atë me tuba e tunel në një mal pas, ku dalja e 20 km më poshtë prodhon energjinë me anë të “HEC Seka”-s prej rreth 9MË.
  3. Thahet përjetësisht lumi Flim, dhe 3-4% që lihet, vetë lumi e humbet në damarët e tij, duke mos çuar ujë poshtë kanjonit dhe në 11 fshatrat poshtë tij si: Melth, Gjocaj, Derjan, Dukagjin, Barbunj, etj.
  4. Thahet përjetësisht lumi Urakë, edhe 3-4% që lihet, vetë lumi e humbet në damarët e tij, duke mos çuar ujë poshtë kanionit.
  5. Janë shkatërruar që tani burimet ujore, mullinjtë bluarës të miellit, krojet etj.
  6. Janë ndotur, që tani ujëra sipërfaqësorë, ujëra lumorë, etj.

E pra, çdo gjykate dhe komisioni ekspertësh mjedisor do t’i mjaftonin vetëm këto pikat e mësipërme për të ndërprerë menjëherë punën e ndërtimit të HEC-eve në zonë, si dhe për t’u dhënë të drejtën banorëve të saj për ujin që është dhuratë e natyrës ose Zotit./Gazetaatdheu.com/

[ngg src=”galleries” ids=”16″ display=”basic_imagebrowser”]

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit