Në pranga babai i kandidatit të PS-së, dyshohet për shpërndarje parash dhe përdorim armësh

Në pranga babai i kandidatit të PS-së,…

Të tjera zhvillime dalin në dritë lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Pilafë, njësi administrative Tomin, në Dibër, ku përplasja mes mbështetësve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste ka marrë përmasa të rënda.

 

Burime ekskluzive për redaksinë tonë bëjnë me dije se personi që u përfshi në ngjarjen e rëndë është Esat Gjura, oficer policie në detyrë dhe njëherazi babai i kandidatit të PS-së për deputet në këtë zonë, Daniel Gjura.

 

Sipas informacioneve, mbështetës të Partisë Demokratike kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se po shpërndante para në këmbim të votave. PD pretendon se ky person ishte pikërisht Esat Gjura, i cili, në momentin kur u përball me qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës, ka qëlluar dy herë me armë zjarri në ajër, për të hapur rrugë dhe për t’u larguar nga vendngjarja.

 

Ngjarja ka ndodhur në prani të kandidatëve demokratë, Xhelal Mziu dhe Xhemal Gjunkshi, të cilët kanë qenë në terren me simpatizantët e tyre. Mjeti me të cilin udhëtonte Esat Gjura është bllokuar fillimisht nga grupi i PD-së, ndërsa tentativa e dytë për largim është shoqëruar, sipas dëshmitarëve, me një përplasje fizike mes djalit të tij dhe një qytetari që po i ndiqte.

 

Në përpjekje për t’u larguar nga zona, Esat Gjura është përfshirë në një përplasje të dytë, ndërsa sipas burimeve qytetare për redaksinë tonë, ai është parë duke qëlluar për herë të dytë në ajër me një armë pistoletë.

Pas disa orësh në kërkim, Esat Gjura është ndaluar nga policia dhe është vënë në pranga. Mësohet se një person tjetër i përfshirë në incident është gjithashtu shpallur në kërkim.

 

Makina që përdorej në veprimtarinë e dyshuar, sipas burimeve të qytetarëve në terren, është përballur dy herë me qytetarët e zonës. Në përplasjen e dytë, është raportuar se djalit të Esat Gjurës, që shoqërohej nga një shtetas tjetër i identifikuar si Ilir Shehu, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari që po filmonte lëvizjet e tyre.

 

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa rasti ka trazuar ndjeshëm klimën elektorale në këtë zonë të nxehtë të veriut.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit