Eksperti amerikan këshillon që SHBA të mos dalë nga izolimi

Eksperti amerikan këshillon që SHBA të mos…

Eksperti më i lartë për pandeminë në Shtetet e Bashkuara ka paralajmëruar Senatin amerikan për rrezikun e një shpërthimi të dytë të infektiv nëse hiqen shpejt masat kufizuese kundër koronavirusit.

Antoni Fauçi, drejtori i Institutit për Sëmundjet Infektive dhe Alergjitë, rekomandoi të martën që shtetet amerikane të vërejnë shenjat e uljes së infeksionit para se të rihapin ekonomitë e tyre.

Dalja e shteteve nga izolimi është një nga zotimet kyç të presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhbërë pasojat e koronavirusit në ekonomi.

“Frika ime është se do fillojmë të shohim valë të vogla infeksioni, dhe rreziku real është shpërthimi i një pandemie të re që mund të mos e kontrollojmë dot më. Kjo jo vetëm do na sjellë vuajtje dhe vdekje por do vështirësojë edhe rikuperimin e ekonomisë,” deklaroi doktor Fauçi nga shtëpia e tij, pasi qëndron edhe vetë në karantinë pas rënies në kontakt me persona të diagnostikuar më herët me Covid-19.

Eksperti inkurajoi vendimmarrësit edhe kundër hapjes së shkollave, duke theksuar se fëmijët nuk janë domosdoshmërisht imunë ndaj sëmundjes.

Për çështjen e një vaksine kundër koronavirusit, Fauçi hodhi poshtë objektivat e Shtëpisë së Bardhë se ajo mund të jetë gati brenda vjeshtës.

Në SHBA, numri i të infektuarve me Covid-19 ka kaluar 1,3 milionë ndërsa viktimat nga infeksioni u shtuan në 82 mijë një ditë më parë.

Sipas presidentit, Donald Trump, Amerika kryen numrin më të lartë të testimeve në botë por politikanët e të dy krahëve ankohen se analizat nuk janë ende në nivelin e duhur.

Na bazë të matjeve të kryera nga shkencëtarët e Oksfordit, Danimarka, Zelanda e Re dhe Kanadaja kryesojnë listën e shteteve për testimet për koronavirus për frymë apo për 1 mijë banorë.

Ligjvënësit demokratë zbuluan të martën një paketë me vlerë 3 trilionë dollarë për t’i ardhur në ndihmë familjeve, bizneseve dhe shteteve më të goditura nga pandemia, por kundërshtarët republikanë dhe presidenti Trump janë shprehur paraprakisht hezitues ndaj këtij propozimi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit