Hetimi për sekuestrimin e 80 kilogramëve kokainë në portin e Vigos, Spanjë, ka sjellë zhvillime të reja pas ekstradimit nga Shqipëria të Klevi K., një prej të dyshuarve kryesorë të përfshirë në trafikun e drogës. Ai u arrestua në Shqipëri pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Vigos.
Sipas hetimeve, Klevi K. ndodhej në Vigo në ditët para sekuestrimit, së bashku me dy shtetas të tjerë shqiptarë të arrestuar në portin e Guixar, teksa dyshohej se po tentonin të merrnin ngarkesën e kokainës nga një kontejner i ardhur nga Amerika e Jugut. Droga, e fshehur në një ngarkesë me peshk të ngrirë, kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 1.6 milionë eurosh.
Gjatë marrjes në pyetje, Klevi K. dha versione kontradiktore për praninë e tij në Vigo, ndërsa hetuesit dyshojnë se ai kishte rol organizues në grup. Autoritetet spanjolle vijojnë analizimin e të dhënave nga telefonat celularë të të arrestuarve, ndërsa pritet që çështja të përfundojë në muajt e ardhshëm.