Ekstradohet nga Dubai Fation Gjonaj, lidhje me ultrasit e AC Milanit, goditet rrjeti shqiptar i trafikut të drogës

Ekstradohet nga Dubai Fation Gjonaj, lidhje me…

Fatjon Gjonaj, i dyshuar si drejtuesi i një organizate shqiptare droge, u ekstradua nga Dubai në Romë dhe u dërgua menjëherë në burg nga autoritetet italiane

Një nga emrat më të kërkuar në rrjetet ndërkombëtare të drogës, Fatjon Gjonaj, është sjellë në Itali pas arrestimit në Dubai më 3 qershor. Pasi mbërriti në aeroportin e Fiumicinos rreth orës 18:15, ai u dërgua drejtpërdrejt në një institucion penal, ku ndodhet nën urdhërat e drejtësisë italiane.

Sipas hetimeve, Gjonaj kishte ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë me Luca Lucci-n, ish-udhëheqësin e famshëm të tifozëve ultras të Milanit, “Curva Sud”. Ky i fundit është arrestuar më herët, në prill të vitit 2025, për trafik droge. Autoritetet e përshkruajnë dyshen si bosët kryesorë të një rrjeti që kontrollonte furnizimin me kokainë, hashash dhe marijuanë nga Afrika Veriore dhe Spanja drejt Italisë.

Në një periudhë vetëm shtatëmujore, grupi i strukturuar kriminal ka arritur të transportojë më shumë se 3.5 ton lëndë narkotike. Fitimet nga ky aktivitet kriminal përllogariten në mbi një mijë euro për kilogram hashashi, ndërsa të ardhurat nga kokaina dhe marihuana ishin edhe më të larta.

Fillesa e hetimeve ka lidhje me një atentat ndaj Enzo Anghinellit në Milano, më 12 prill 2019. Sipas vendimit të shkallës së parë, Lucci u dënua si porositës i atentatit, ndërsa Daniele Cataldo si ekzekutor. Kjo ngjarje e rëndë u kthye në pikën kyçe që ndihmoi hetuesit italianë të çmontojnë rrjetin ndërkombëtar të drogës.

Operacionet e mëpasshme çuan në arrestimin e 12 personave në dy faza – dhjetor 2024 dhe prill 2025 – përfshirë edhe Luccin. Rrjeti përdorte mjete të sofistikuara transporti, ku droga dërgohej me kamionë në një magazinë në Inveruno, afër Milanos, dhe më pas shpërndahej në treg duke përdorur edhe punonjës të Amazon për të shmangur gjurmimin nga policia.

Ekstradimi i Gjonajt shënon një goditje të rëndësishme ndaj një prej degëve më të rrezikshme të trafikut të drogës në veri të Italisë. Autoritetet italiane theksojnë se ky arrestim përforcon luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit