Ekzekutimi i Bejtjas, vrasja u porosit nga Dubai, autorët nga Vlora

Ekzekutimi i Bejtjas, vrasja u porosit nga…

Prokuroria vijon hetimet mbi vrasjen e Gentjan Bejtjes në Larushkë të Fushë Krujës. Informacionet e marra nga partnerët ndërkombëtarë tregojnë se porosia për ekzekutimin e tij është dhënë nga Dubai.

Mosgjetja e disa personave me rëndësi për hetimin, për t’i marrë në pyetje, kanë ngritur dyshimet tek prokuroria.

Pesë ditë pas vrasjes së Bejtjas, policia arrestoi dy persona, Edison Haxhiun dhe 41-vjeçarin Ilir Beqaraj. Këta dy persona rezultojnë të dënuar edhe më parë për vepra të ndryshme kriminale.

Haxhiu dhe Beqaraj rezultojnë të kenë qenë transportuesit e të paktën tre ekzekutorëve, të cilët dyshohet se janë nga qyteti i Vlorës.

Në këtë fazë të hetimit autoritetet tregohen të rezervuar në dhënien e informacionit ndërkohë që puna për gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarve ka si qendër qytetin e Vlorës.

Në fillim dy të arrestuarit, Edison Haxhiu dhe Ilir Beqaraj, thanë për autoritetet se nuk kishin lidhje me ngjarjen, pasi makina e tyre tip Golf kishte gjurmues GPS, por më pas rezultoi se ajo ishte shumë pranë vendit të ekzekutimit.

Gentjan Bejtja ka qenë edhe herë të tjera objekt i atentateve, një vit më parë një tjetër mjet tip Golf me tre persona e ndoqën atë deri në afërsi të shtëpisë, por ekzekutuan kunatin e Bejtjas, Ramazan Sino dhe plagosën dy djemtë e tij të mitur.

Pas kësaj ngjarje të ndodhur më 3 korrik u arrestua Valter Bami, vëllai i Durim Bamit.

Në atë kohë në duart e 37-vjeçarit pas ekspertimit kimik rezultoi se në duart e tij kishte gjurmë baruti, por as kjo nuk mjaftoi për ta mbajtur atë në burg. Pas ekzekutimit të Bejtjas, më 15 mars të këtij viti, policia u rikthye për ta pyetur Valter Bamin, por nuk e gjeti më.

Gnetjan Bejtja dyshohet se ka qenë i përfshirë në vjedhjen e automjetit që u përdor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Pas serisë së atentateve ai kërkoi azil në Norvegji e Suedi, por kërkesat e tij i ishin refuzuar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit