Të paktën 25 gëzhoja automatiku janë sekuestruar nga policia në vendin ku u ekzekutua Aleksandër Koçeku, në fshatin Lin, në zonën e Karmës së Kirit, përgjatë aksit rrugor Kir–Prekal. Sipas hetimeve paraprake, të gjitha gëzhojat dyshohet se janë qitur nga e njëjta armë.
Trupi i pajetë i 40-vjeçarit u zbulua nga një kalimtar i rastësishëm, i cili pa automjetin e ndaluar me viktimën brenda dhe njoftoi menjëherë policinë.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se autori ose autorët i kishin zënë pritë Koçekut dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku. Burime hetimore bëjnë me dije se ai lëvizte gjithmonë me kujdes për shkak të konfliktit të gjakmarrjes që rëndonte mbi familjen e tij. Ndërkohë, 40-vjeçari punonte në një furrë buke në Shkodër.
Hetuesit po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit të përshkuar nga viktima, në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet e tij. Megjithatë, segmenti rrugor ku ndodhi atentati nuk monitorohet me kamera, duke e bërë më të vështirë identifikimin e autorëve.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, pista kryesore ku janë përqendruar hetimet lidhet me vrasjen e Angjelin Shkambit, të ndodhur në dhjetor të vitit 2017. Për atë ngjarje po vuan dënimin Artan Koçeku, vëllai i Aleksandër Koçekut, i cili sipas dosjes hetimore e kishte thirrur Shkambin në një takim dhe më pas e kishte qëlluar me armë zjarri.
Hetimet e asaj kohe nxorën si motive të dyshuara një borxh prej 40 mijë eurosh, por edhe një konflikt të lidhur me nderin, pasi Shkambi dyshohej se kishte pasur një marrëdhënie me motrën e vëllezërve Koçeku.
Familjarët e Aleksandër Koçekut dyshojnë se atentati i së shtunës është akt hakmarrjeje, i lidhur pikërisht me ngjarjen e vitit 2017. Kushëriri i viktimës, Mark Koçeku, deklaroi se familja jeton në gjakmarrje prej asaj kohe dhe se Aleksandri kishte marrë masa të vazhdueshme sigurie nga frika e një sulmi.
Ndërkohë, Aleksandër Koçeku rezultonte nën hetim edhe në dosjen për vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur në shkurt të vitit 2025. Pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës kishte vendosur të zgjasë me tre muaj afatet e hetimit për këtë çështje.
Sipas organit të akuzës, Koçeku dyshohej se, së bashku me Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisajn, kishte marrë pjesë në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes së Pavlin Prekës. Hetimet paraprake sugjerojnë se motivi lidhej me dyshimet se 19-vjeçari po planifikonte rrëmbimin e vajzës së Vasel Koçekut për t’u fejuar me të, pavarësisht kundërshtimit të saj.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen, për të identifikuar autorin ose autorët dhe për t’i vënë ata përpara përgjegjësisë penale.