Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e sotëm qytetin e Fierit, ku është vrarë me armë zjarri Selami Hasani. Rrethanat e atentatit mbeten ende të paqarta.
Selami Hasani, i njohur ndryshe me nofkën “Sel Çami”, është një emër i njohur për drejtësinë dhe blutë e Fierit për shkak të përplasjeve të ashpra dhe një hasmërie tredekadëshe në këtë qytet.
Hasani ka qenë i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e nipit të Arben Isufajt (i njohur gjerësisht si “Ben Qimja”), një ngjarje e rëndë e ndodhur në vitin 2003.
Pas krimit të vitit 2003, ai qëndroi në arrati për rreth 7 vite, derisa u arrestua nga forcat speciale RENEA në Fier në gusht të vitit 2009.
Pas shlyerjes së dënimit, ai rifitoi lirinë, duke u rikthyer sërish në vëmendjen e kronikës së zezë me ekzekutimin e sotëm.
Pista kryesore ku po hetojnë autoritetet lidhet me të shkuarën e tij dhe konfliktet e vjetra të gjakmarrjes. Policia ka ngritur pika kontrolli në akset hyrëse dhe dalëse të Fierit dhe po këqyr kamerat e sigurisë në zonë për të rënë në gjurmët e autorëve.