
Policia e Tiranës ka dhënë njoftimin zyrtar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Astir, ku kanë mbetur të vdekura dy motra. Burime bëjnë me dije për gazetarin e Fax News Lisi Myrta, se autori i ngjarjes është një shtetas nga Tirana i identifikuar si Përparim Ademi 59-vjeç, i cili kishte lidhje me njërën prej grave të vrara me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh.
Shkak i kësaj ngjarje dyshohet se është bërë refuzimi i njërës prej viktimave për të vazhduar lidhjen me autorin. Mësohet se autori ka shkuar i armatosur në banesën ku qendronin dy motrat dhe ka qëlluar me breshëri arme ndaj tyre, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Njoftim:
Informacion paraprak Më datë 31.12.2020, rreth orës 10:30, në Astir, shtetasi P. A., 59 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri bashkëjetuesen e tij dhe motrën e saj, ende të paidentifikuara, të cilat si pasojë e plagëve të marra kanë ndërruar jetë. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit. Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.