Mbi 451 mijë njerëz mund të humbin jetën gjatë gjashtë muajve të ardhshëm si pasojë e temperaturave të larta të lidhura me një fenomen të fuqishëm El Niño. Ky është vlerësimi i një grupi studiuesish të klimës, për periudhën nga shtatori 2026 deri në shkurt 2027.
Sipas analizës, vendet tropikale pritet të përballen me pasojat më të rënda. Nigeria, Indonezia, Sudani, India dhe Brazili renditen ndër zonat ku mund të regjistrohet numri më i madh i vdekjeve shtesë të lidhura me nxehtësinë. Në Shtetet e Bashkuara parashikohen rreth 3,500 vdekje shtesë gjatë së njëjtës periudhë.
Por rreziku nuk lidhet vetëm me temperaturat ekstreme. El Niño mund të shoqërohet me thatësira, zjarre dhe përmbytje, ndërsa dëmet në bujqësi mund të ndikojnë në furnizimin me ushqime dhe të sjellin rritje të çmimeve.
Për të arritur në këtë vlerësim, studiuesit analizuan të dhëna nga 24,378 rajone në mbarë botën, duke krahasuar temperaturat dhe vdekjet shtesë të lidhura me nxehtësinë për çdo muaj gjatë periudhës 1996–2025. Këto të dhëna u kombinuan më pas me parashikimet e temperaturave të lidhura me El Niño-n.
Studiuesit theksojnë se parashikime të tilla mund t’u japin autoriteteve kohë për t’u përgatitur dhe për të marrë masa parandaluese, nga përmirësimi i sistemeve të alarmit për valët e të nxehtit dhe hapja e qendrave të ftohjes, deri te forcimi i shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtja e punëtorëve që ekspozohen ndaj temperaturave të larta.
“Vlerësimi prej 451,000 njerëzish është një numër kaq i madh sa mund të jetë tronditës, por përbëhet nga prindër dhe fëmijë, gjyshër dhe fqinjë, njerëz që shkojnë në punë, kujdesen për familjet dhe jetojnë jetën e tyre”, u shpreh Prof. Michael Greenstone, bashkëthemelues i Climate Impact Lab dhe profesor në Universitetin e Çikagos.
Ndërkohë, bashkëautorja e studimit, Dr. Tamma Carleton nga Universiteti i Kalifornisë, Berkeley, vlerëson se përgatitja në kohë mund të ndihmojë në shpëtimin e jetëve. Ajo paralajmëron se temperaturat ekstreme që sot konsiderohen të pazakonta mund të bëhen gjithnjë e më të shpeshta në dekadat e ardhshme.
El Niño është një fenomen natyror klimatik që shkakton ndryshime të rëndësishme në temperaturat e oqeaneve dhe qarkullimin atmosferik. Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky fenomen po zhvillohet në një klimë tashmë më të ngrohtë si pasojë e emetimeve të gazeve serrë.