Elbasan/ Masakroi shokun me shishe dhe sende të forta? Kush është dhëndri i Qazim Sejdinit, një prej autorëve të dyshuar...

Elbasan/ Masakroi shokun me shishe dhe sende…

Elbasani mbetet ende një vatër e nxehtë e kriminalitetit dhe vetëm në 12 orët e fundit u trondit nga dy vrasje.

Pas vrasjes së 23-vjeçarit Regis Runaj, mbrëmjen e djeshme, mëngjesin e sotëm është vrarë me sende të forta dhe 40-vjeçari Florian Lamçe.

Sipas Policisë, Lamçe mbeti i vrarë pas një konflikti me dy persona të tjerë pranë qendrës së këtij qyteti.

Personat e përfshirë në konflikt, dhe që akuzohen për vrasjen e Lamçes, janë Adriano Hajdari, 42 vjeç dhe Sokol Sanxhaktari, 34 vjeç, të cilët aktualisht janë shoqëruar nga policia.

Sipas policisë, personat e përfshirë në konflikt ishin në gjendje të dehur.

Por Sokol Sanxhaktari, është një personazh jo pak i njohur, i përfolur si protagonist i botës së krimit në Elbasan.

Kush është Sokol Sanxhaktari?

Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini është një personazh i njohur për drejtësinë.

Dhëndri i shumëpërfolur i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari është akuzuar se ka kryer një sërë veprash penale, por me sa duket gjithmonë i ka shpëtuar drejtësisë.

Ndërkohë Sanxhaktari njihet edhe si miku i afërt i Sokol Çelës, ky i fundit i akuzuar si i përfshirë në ngjarjen që ndodhi mesnatën e 18 shtatorit kur një automjet i blinduar tip “Audi” A8, goditi makinën e patrullës së policisë, brenda të cilit ishte ish-zv.drejtori i policisë, Gjergji Oshafi.

Po ashtu, mbetur vetëm në “thashethemet” mediatike dhe akuzat politike të opozitës shqiptare, dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari dyshohet se është i përfshirë në grupin kriminal të bandës së Çelës.

Edhe viktima e mbrëmjes së shkuar, Florian Lamçe, është një person me të shkuar kriminale.

Ai ka qenë i hetuar për dy plagosje, por në fund ka vuajtur dënimin vetëm për “pengim të zbardhjes së të vërtetës” me 3 vite burg.

Ai njihej me nofkën “Flor Qorri” dhe është akuzuar disa herë nga autoritetet për ngjarje të rënda kriminale.

Florian Lamçe është vëllai i Olti Lamçes, i dënuar me 24 vite burg për vrasjen e Almir Canit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shkurt të vitit 2012 ndërsa debati mes Lamçes e Canit kishte nisur për një punë të papaguar nga ana e këtij të fundit, pronar i një diskoje.

/Burimi: ABCNews/Gazetaatdheu.com/

 

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit