
Pasditen e djeshme një zjarr masiv përfshiu Elbasanin pas djegies së plehrave pranë inceneratorit. Tymi i zi dhe era toksike janë përhapur në zonë, teksa si pasojë e substancave të dëmshme rrezikojnë shëndetin e banorëve të Elbasanit.
Qytetarët shprehen të shqetësuar nga kjo ndotje masive që duken qartë dhe në pamjet e mbërritura në redaksi. Ndonëse tymi ka pushtuar qytetin, nuk ka patur asnjë masë parandaluese nga bashkia e Elbasanit, me kryetar Gledian Llatja.
Mungesa e përgjegjësisë institucionale është e pafalshme, sidomos kur bëhet fjalë për ndotje të shkaktuar nga aktivitete që ndodhin nën hundën e autoriteteve vendore. Heshtja e bashkisë tregon ose paaftësi, ose një tolerim të qëllimshëm ndaj ndotjes së qëllimshme që po i bëhet qytetit.
Bashkia jo vetëm që nuk merr masa për të ndaluar ndotjen e mjedisit, por me mosveprimin e saj duket se e lejon dhe e normalizon këtë situatë. Qytetarët e Elbasanit po jetojnë çdo ditë me ndotje kronike, ndërsa institucionet që duhet t’i mbrojnë janë kthyer në spektatorë.
Tymi shihet se ka pushtuar qytetin. teksa banorët raportojnë aromë të padurueshme dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa era dhe temperaturat e larta po e rëndojnë situatën, duke ndihmuar përhapjen e tymit dhe ndotjes në ajër.