Elbasani si Napoli/ Thika bën 'kërdinë', u merr jetën dy personave... i përfshirë edhe dhëndri i Qazim Sejdinit

Elbasani si Napoli/ Thika bën ‘kërdinë’, u…

Dy vrasje brenda pak orëve dhe që të dyja të kryera jo më me breshëri kallashnikovi por me thikë, kanë tronditur këtë mëngjes Elbasanin.

Ky i fundit është shëndrtuar kohët e fundit si një prej provincave të Napolit, ku bandat bëjnë ligjin dhe hera herës, spastrohet ndonjë anëtar i pakujdesshëm.

Vetëm dje në orët e vona të mbrëmjes, u vra me thika Rigers Runaj, 23 vjeç, shok i ngushtë me Emiljano Ramazanit, të ekzekutuar më 20 korrik.

Ndërsa pak orë më vonë,  në orët e para të mëngjesit të sotëm, u vra 40-vjeçari Florian Lamçe.

Për ekzekutimin e këtij të fundit, janë shoqëruar në polici Ardiano Hajdari, 42 vjeç, ndërsa tjetri është Sokol Sanxhaktari, 34 vjeç, dhëndri i ish-kryebashkiakut të qytetit, Qazim Sejdini.

Vrasja e Rigers Runaj

Rigers Runaj, miku i ngushtë i të ndjerit Emiljano Ramazani, u gjet i masakruar me thikë orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pranë varrezave në lagjen “Emin Matraxhiu”.

23-vjeçari u gjet i vdekur rreth orës 22:00, por mendohet se është ekzekutuar pak orë më parë pasi ishte gjetur me gjakun e mpiksur.

Edhe pse u gjet i shtrirë në tokë, i qëlluar 7 herë me thikë, plagë që i morën edhe jetën, Policia e Shtetit ka njoftuar se, i riu kishte ndërruar jetë në spital.

Ndërkohë autorët e krimit kishin pasur kohë të largoheshin të qetë nga vendngjarja, duke marrë parasysh gjithashtu faktin se, rruga ku edhe u gjet i riu, nuk frekuentohet shumë nga banorët e qytetit.

Dyshimi kryesore për vrasjen e 23-vjeçarit, ngelet prishja e pazareve të drogës dhe miqësia që ai kishte me Emiljano Ramazanin.

Ky i fundit, më 20 korrik të këtij viti, u qëllua për vdekje brenda makinës së tij.

Dyshohet se eliminimi i Ramazanit ka lidhje me një tjetër vrasje që ka ndodhur në këtë qytet, në vitin 2018.

Vrasja e tij, mendohet se është bërë për hakmarrje mes grupeve kriminale që operojnë në Elbasan (grupi i “Sakatit” i cili drejtohet nga 3 vëllezër dhe grupi i “Tarzanit”).

Ramazani nuk rezultonte i përfshirë direkt në vrasje, por mendohet se, ka pasur dijeni ose ka marrë pjesë në role të tjera, duke ndihmuar grupet që kanë kryer ekzekutimet.

Duke marrë parasysh miqësinë e ngushtë me Runajn, pista për vrasjen e Ramazanit mund të vlejë edhe për 23-vjeçarin.

Vrasja e Florian Lamces

Policia e Elbasanit dhe grupi hetimor, mbrëmë dhe sot kanë qenë në një punë intensive dhe nuk kanë pasur kohë të qetësohen.

Një raportim në radio, i njofton blutë e Elbasanit për një vrasje të dytë, vetëm pak orë distancë nga njëra-tjetra.

Këtë herë jo më në periferi por në qendër të qytetit, pranë lokal ‘Piazza’, ishte ekzekutuar 40-vjeçari Florian Lamce.

Edhe Lamçe njësoj si Runaj, u ekzekutua me armë të ftohtë, duke ngritur dyshimet se mund të ketë qenë “e njëjta dorë” ajo që ka nisur “ndëshkimet”.

40-vjeçari ishte i njohur në qytet për shpërndarjen e drograve, madje është proceduar tre herë për këtë veprimtari kriminale, ku një herë është dënuar dhe dy herë është deklaruar i pafajshëm.

Gjithashtu Lamçe është hetuar edhe për dy plagosje, ç’ka shton dyshimet se, vrasja e tij mund të jetë edhe hakmarrje.

Por Policia ka një version për vrasjen e tij, që nuk lidhet me të shkuarën e tij kriminale; Florian Lamçe së bashku me dy persona të tjerë, kanë qenë në vendin e ngjarjes të dehur dhe pas një konflikti kanë goditur me shishe dhe mjete të forta njëri-tjetrin.

Për këtë arsye Lamçe ka ndërruar jetë, ndërsa të tjerët janë plagosur.

Personazhet në ngjarje

me kë po shoqërohej Lamçe natën e ekzekutimit?

Një prej tyre është identifikuar si Ardiano Hajdari, 42 vjeç, ndërsa tjetri është Sokol Sanxhaktari, 34 vjeç, dhëndri i ish-kryebashkiakut të qytetit, Qazim Sejdini.

Të dy pasi janë mjekuar në spital janë marrë në Komisariat, ndërkohë që janë ende të paqarta rrethanat sesi të dy, kanë arritur që të eliminojnë shokun e tyre.

Në të gdhirë të mëngjesit të sotëm, Policia ka “blinduar” të gjithë qytetin, duke kërkuar në çdo cep për të dhëna lidhur me vrasjet që tronditën qytetin.

/Gazetaatdheu.com/

 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit