Elon Musk sfidon skenën politike amerikane me partinë e tij të re: “Partia e Amerikës”

Elon Musk sfidon skenën politike amerikane me…

Elon Musk-u sfidon Donald Trump-in dhe partitë tradicionale duke nisur projektin politik “Partia e Amerikës”, me synimin për të rikthyer lirinë dhe për të çrrënjosur bipolarizmin politik amerikan.

Elon Musk ka ndezur skenën politike amerikane me një lëvizje të re të befasishme: themelimin e “Partisë së Amerikës”. Ky projekt politik, që u bë publik përmes platformës X, përfaqëson një sfidë direkte ndaj dominimit të dy partive tradicionale dhe synon të tronditë ekuilibrat ekzistues në Kongresin amerikan.

Musk-u e bëri njoftimin gjatë festimeve të Ditës së Pavarësisë, duke shfrytëzuar simbolikën e datës për të promovuar pavarësinë politike nga “bipolarizmi” që, sipas tij, ka kufizuar zgjedhjet e qytetarëve amerikanë. Me një sondazh të publikuar për më shumë se 220 milionë ndjekës, ai pyeti nëse duhej krijuar një forcë e re politike. Deri në pasdite, mbi 44 milionë persona e kishin parë postimin dhe më shumë se 1.2 milion kishin votuar, me 65.4% në favor.

Ky hap nuk është i papritur. Për vite me radhë është spekuluar se pronari i Tesla-s dhe SpaceX mund të ndërmerrte një rrugë politike. Por tani, pas tensioneve të thelluara me Donald Trump – përfshirë përplasje publike dhe akuza të ndërsjella – Musk-u po shndërron ambicien në aksion. Ai nuk ka qëllim vetëm të krijojë një parti, por edhe të vendosë presion mbi ish-aleatin e tij, në një betejë që po bëhet gjithnjë e më personale dhe strategjike.

Duke kritikuar hapur ligjin fiskal të miratuar së fundmi, Musk-u sulmoi Partinë Republikane, duke e etiketuar si “Partia e Derrave të Egër”. Komenti shkaktoi reagime të ashpra, përfshirë një ironi të fortë nga Steve Bannon, ish-strategu i Trump, i cili e quajti Musk-un “jo-amerikan” për shkak të origjinës së tij afrikano-jugore. Por Musk-u nuk u tërhoq, duke theksuar se ligji i ri do të çojë SHBA-në drejt falimentimit, për shkak të një deficiti që ka arritur në 2.5 trilionë dollarë.

Sipas sistemit të inteligjencës artificiale të X, të quajtur Grok, partia e re e Musk-ut mund të marrë mes 5 dhe 10 për qind të votave, veçanërisht nga republikanët e zhgënjyer. Ai ka sugjeruar një strategji të synuar: përqendrimi në disa vende kyçe të Senatit dhe 8-10 distrikte në Dhomën e Përfaqësuesve, për të pasur ndikim vendimtar në legjislacionin federal.

Kjo lëvizje ka potencial të ndikojë ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, veçanërisht në shtete të lëkundura si Georgia, Michigan apo Arizona. Nëse Musk-u paraqet një kandidat presidencial në vitin 2028, ai mund të përçajë votën konservatore dhe të minojë ambiciet politike të figurave si Eric Trump apo J.D. Vance.

Me një pasuri prej 405 miliardë dollarësh, sipas Forbes, Musk-u nuk ka nevojë për donatorë dhe kjo e bën atë një aktor të fuqishëm politik. Financimet e fushatës mund të jenë arma e tij kryesore për të përmbysur rendin e vjetër dhe për të ndërtuar një alternativë që, sipas tij, do të rikthejë vërtet lirinë në politikën amerikane.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit