Elona krye të “armatës” së Tiranës: Si fryhet çdo vit Policia Bashkiake dhe tenderat miliona lekësh

Elona krye të “armatës” së Tiranës: Si…

Në krye të Policisë Bashkiake të Tiranës qëndron sot Elona Lalaj, e cila u emërua në këtë detyrë më 2 maj 2025 nga kryetarja asokohe e bashkisë, Anuela Ristani.

E konsideruar si një person i besuar i kryeministrit Rama dhe me një të kaluar në radhët e Policisë së Shtetit ku ka shërbyer edhe si zëdhënëse në Qarkun Fier, Lalaj u bë gruaja e parë që mori drejtimin e këtij institucioni.

Por ndërsa drejtuesit ndërrohen, “makineria” e Policisë Bashkiake vazhdon të rritet me ritme galopante.Shqetësim kryesor mbetet fryrja e pafundme e numrit të efektivëve çdo vit, një zgjerim që bëhet dukshëm përtej çdo kufiri ligjor dhe me të vetmin qëllim: shtimin e presionit mbi qytetarët, bizneset dhe, natyrisht,mbledhjen e gjobave.

Një matematikë e çuditshme: Sa policë shtohen çdo vit?

Nëse i referohemi letrës, në shtator të vitit 2018, Këshilli i Ministrave përcaktoi me vendim zyrtar se numri maksimal i policëve bashkiakë për kryeqytetin duhet të ishte saktësisht 428 veta.

Por pse t’i përmbahesh ligjit kur mund të rekrutosh pa fund?

Viti 2020: Këshilli Bashkiak i drejtuar nga Toni Gogu harron vendimin e qeverisë dhe, duke iu referuar vetëm “Kushtetutës”, e çon numrin e policëve në 500.

Viti 2022: Përmes një njoftimi konkursi në qershor, Bashkia Tiranë vendos të “pasurohet” edhe me 116 policë të tjerë, duke e çuar numrin real në 616.

Viti 2024: Shifra kap majat në 650 efektivë, një numër që zbulohet jo nga ndonjë vendim transparent, por nga tenderët për blerjen e uniformave.

Ironia e uniformave: Kur policët “pedalojnë” miliona lekë

Kjo rritje e pandalshme e trupës ushtarake të gjobave dëshmohet më së miri nga tenderët e kopshtit logjistik.Skema e blerjes së uniformave përsëritet çdo vit me të njëjtin emër fitues (“Vojsava”) dhe me shifra që “fluturojnë”:

  • 2018 – 2019: Nis me 10.4 milionë lekë dhe rritet në 13.4 milionë lekë, ku kompania shpallet fituese me “Flamur të Kuq” apo përballë konkurrentëve me ofertë zero lekë.
  • 2020 – 2022: Fondi kërcen papritur në 132 milionë lekë në vitin 2020, ndërsa në vitin 2022 kap shifrën e 166 milionë lekëve — gjithnjë me një ofertues të vetëm në garë. E sikur të mos mjaftonte kjo, edhe pse uniformat supozohej të zgjasnin dy vjet, në vitin 2021 u gjet hapësira për edhe një tender tjetër këpucësh prej 22 milionë lekësh.
  • 2023: Blihen mbi 600 uniforma, 500 pulovra e sutejka doke.

Kulmi i çudisë në vitin 2024 (dhe tenderi i janarit 2025):

Në dhjetor 2024, Bashkia Tiranë shpalli tenderin me vlerë 51.6 milionë lekë (gati katërfishi i vitit paraardhës). Më 23 janar 2025, fituese u shpall sërish e njëjta kompani, e cila ofroi gati 100% të fondit limit (51.3 milionë lekë pa TVSH).

Si u justifikua ky katërfishim fondesh? Me një risi gjeniale “teknologjike”: 100 policë do të pajisen me uniforma speciale për të ngritur biçikletat! Se pse duhen uniforma me çmim meqenëse po pedalohet nëpër Tiranë, këtë mund ta kuptojnë vetëm ata që ndajnë fondet publike përmes skemave të paratreguara.

Përballë kësaj tabloje ku ligji shkelet me vendime këshillash bashkiakë dhe tenderat e uniformave fryhen me arsyetime groteske si “uniformat e biçikletave”, syri i opinionit publik mbetet i kthyer SPAK. Ndërsa hetimet e prokurorisë së posaçme kanë vënë në shënjestër disa prej zyrtarëve më të lartë të Bashkisë Tiranë për skema të ngjashme abuzimi me fondet publike, mbetet për t’u parë nëse kjo “armatë” e fryrë e Policisë Bashkiake dhe klientelizmi me tenderat milionësh të uniformave do të jenë dosja e radhës që do të kalojë në dyqanin e drejtësisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit