Një situatë emergjente mjekësore bëri që një avion i kompanisë Ryanair, i cili po udhëtonte nga Londra drejt Tiranës, të devijonte itinerarin dhe të kryente një ulje të paplanifikuar në Aeroportin e Luksemburgut mëngjesin e së martës.
Sipas autoriteteve lokale, avioni u ul përkohësisht në Luksemburg rreth orës 08:00, pasi një pasagjer kërkoi ndihmë mjekësore gjatë fluturimit. Në vendngjarje ndërhynë ekipet e Trupës së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Dukës së Madhe (CGDIS), së bashku me Shërbimin e Urgjencës Mjekësore SAMU.
Fluturimi, i cili ishte parashikuar të mbërrinte në Aeroportin e Tiranës në orën 09:55, vijoi më pas udhëtimin dhe u ul në kryeqytetin shqiptar në orën 11:18, sipas të dhënave të publikuara nga aeroporti i Tiranës.