Emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore frenojnë rritjen ekonomike në Shqipëri

Emigracioni dhe mungesa e fuqisë punëtore frenojnë…

Emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore me aftësitë e kërkuara po kufizojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Sipas raportit “Poverty & Equity Brief”, publikuar nga Banka Botërore më 9 tetor 2026, tregu i punës po shfaq shenja dobësimi, ndërsa në tremujorin e parë të vitit pjesëmarrja në forcat e punës zbriti në 76.2%. Norma e punësimit për popullsinë mbi 15 vjeç ra në 58%, ndërsa papunësia u regjistrua në 8.4%. Sfidat mbeten më të theksuara te gratë dhe të rinjtë, të cilët kanë nivele më të ulëta punësimi dhe pjesëmarrjeje në tregun e punës.Banka Botërore thekson se rritja e punësimit të grave dhe krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë janë thelbësore për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe uljen e varfërisë. Sipas raportit, eliminimi i diferencave gjinore në punësim mund të rrisë Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë me rreth 12% në afat të gjatë. Ndërkohë, emigracioni dhe mospërputhja mes aftësive të punëtorëve dhe kërkesave të bizneseve vijojnë të ndikojnë negativisht në ofertën e fuqisë punëtore dhe produktivitetin.

Pavarësisht këtyre vështirësive, varfëria në Shqipëri pritet të vijojë rënien, nga 25% në vitin 2024 në 23.1% në vitin 2025 dhe 21.6% në vitin 2026, sipas vlerësimeve të Bankës Botërore. Llogaritjet bazohen në pragun ndërkombëtar të varfërisë prej 8.30 dollarësh në ditë për person, sipas fuqisë blerëse të vitit 2021, por nuk përfaqësojnë matje të drejtpërdrejta, pasi anketa më e fundit e familjeve daton në vitin 2018. Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria mbetet larg standardeve globale të prosperitetit, me të ardhura mesatare që duhet të rriten ndjeshëm për të arritur nivelin prej 28 dollarësh në ditë për person.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit