Emigrantët bien në “kurthin” e Ramës, nuk ka pasur kurrë një pakt midis Greqisë dhe Shqipërisë

Emigrantët bien në “kurthin” e Ramës, nuk…

Emigrantët në Greqi/ Flet për “Shekulli”-n gazetari Shpëtim Zinxhiria: Emigranti vjen punon në Greqi, fle dy muaj nëpër kasolle, fiton 600 euro dhe ato i lë në kufi!

Gazetari Shpëtim Zinxhiria nga shteti Greqisë, tha për “Shekulli”-n se Kryeministri Edi Rama po i mashtron për së dyti emigrantët shqiptarë në Greqi. Ai shprehet se ato gjoba të emigrantëve, nuk do t`i paguajë shteti po ne, me taksat tona. Gazetari thotë se nuk ka pasur kurrë një pakt midis Shqipërisë dhe Greqisë në lidhje me emigrantët sic është thënë më herët nga Kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se ka pasur një bisede telefonike me Kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, për një marrëveshje. Zinxhiria shprehet se Edi Rama vetëm mashtron emigrantët pasi këto të fundit janë lënë në harresë nga shteti e nuk merret njëri me to.

Situata

Policia greke penalizoi me gjoba nga 600 deri në 1200 euro disa qytetarë, të cilët shkelën afatet e qëndrimit në hapësirën Schengen dhe një ditë më parë, Kryeministri Rama tha se gjobat do të rishikohen dhe në rast të parregullsive do të ketë rimbursim 100% nga shteti. Lidhur me këtë, Zinxhiria tha se lekët do të paguhen nga taksat tona dhe se kryeministri po mashtron për së dyti emigrantët.

“Ato lekët do të paguhen nga shteti por me taksat tona sepse emigrantët ranë viktima të Edi Ramës. Nuk është hera e parë që ato bien viktima të kryeministrit të tyre, kjo është hera e dytë. Nuk ka pasur kurrë një marrëveshje apo pakt midis shtetit shqiptar dhe atij grek që emigrantët nuk do të ndëshkohen, sic ka thënë kryeministri Rama. Emigracioni shqiptar është lënë në harresë nga Qeveria shqiptare. “– shprehet Zinxhiria.

Pakti midis Shqipërisë dhe Greqisë

Më tej, gazetari thotë se Greqia nuk ka lajmëruar për një marrëveshje të tillë, por përkundrazi, shqiptarët e kanë ditur nga qeveria greke se nëse shkelin në kufijë gjobiten, por kanë dëgjuar kryeministrin shqiptarë dhe e kanë pësuar. Sipas Zinxhirisë, kryeministri Rama po i mashtron emigrantët dhe nuk merret asnjëherë me to.

“Greqia, është i vetmi vend në Bashkimin Europian, që atë që thotë e mban. Gjobat janë gjoba dhe ato do të paguhen me taksat tona, sepse Rama i mashtroi për së dyti herë emigrantët, pra Rama mashtron emigrantët. Ai nuk i do emigrantët pasi, në 7 vjet, ai nuk ka ardhur kurrë në Greqi. Si ka mundësi që mos të vijë një herë në keto 7 vite në shtetin grek? Rama gënjeu duke thënë që ka biseduar me kryministrin grek, ky është një mashtrim.

Me 30 prill, Qeveria shqiptare tha se do të hapen kufijtë dhe shqiptarët u bllokuan për 4 netë aty në doganë, dhe kjo ishte publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës dhe me shpejtësi këto e hoqën. Emigranti vjen në Greqi, punon dhe flen 2 muaj nëpër stalla e kasolle, fiton 600 euro dhe ato i lë në kufi. Qeveria greke ka thënë që në fillim që kushdo që thyen rregullat e vendosura për kthim, do gjobitet dhe nuk ka deklaruar asgjë nga ato që ka deklaruar Qeveria Rama. Greqia e ka thënë këtë para se të gjobiten shqipëtarët, por shqipëtarët duke marrë për bazë fjalët e kryeministrit shqiptarë, e pësuan.”

Më herët, gazetari Shpëtim Zinxhiria, ka publikuar në rrjetet sociale në lidhje me emigrantët shqiptarë që kthehen përmes pikave kufitare me këtë shtet, duke thënë se kjo përbën një skandal nga qeveria shqiptare pasi sipas tij, Kryeministri Rama i ka mashtruar emigrantët, sepse vetë Ministria jonë e Jashtme dhe Ambasada në Athinë ka nxjerrë një njoftim në ditët e fundit të muajit mars, sipas të cilit kufiri është i hapur dhe ata mund të kthehen duke plotësuar, vetëm disa kushte teknike.

Njoftimi i plotë i Ambasadës Shqiptare në Athinë dhe Ministrisë së Jashtme (i fshirë)

Duke marrë parasysh situatën e rënduar për shkak të përhapjes së pandemisë së COVID-19, dhe në vijim të shqetësimeve të ngritura lidhur me kthimin në Shqipëri të shtetasve shqiptarë të cilët ndodhen në Greqi në kuadrin e regjimit 90 ditor të qëndrimit në zonën Shengen, sqarojmë se:

Aktualisht, kufiri tokësor midis Shqipërisë dhe Greqisë (Kakavi, Kapshticë, Qafë Botë) është i hapur për qytetarët të cilët duan të kthehen në Shqipëri, të cilëve u mbaron afati maksimal i qëndrimit 90-ditor në Greqi, ose për raste urgjente/shëndetësore;

Kalimi i kufirit lejohet vetëm për këmbësorët, duke u kujdesur që nga ana tjetër e kufirit t’i marrë një person/i afërm/i njohur i cili duhet të ketë tërhequr paraprakisht nga Komisariati i Policisë në Shqipëri autorizimin për udhëtimin drejt kufirit. Aplikacioni për Autorizimin personal gjendet në linkun http://autorizime.asp.gov.al;

Për lëvizjen drejt pikës kufitare të Kakavijës mund te merret informacion në agjencinë e autobusëve Leoforo Kifisias 100, nr tel 0030215129363 ose 0030 210 5129365, për linjë udhëtimi deri në Janinë dhe nga aty për lëvizje deri në kufi;

Për të lëvizur brenda territorit grek, në kontekstin e masës së shpallur nga autoritetet greke për ndalimin e lëvizjeve jo të nevojshme, duhet të ndiqen udhëzimet që gjenden në linkun https://forma.gov.gr/;

Pas kthimit në Shqipëri duhet të ndiqni udhëzimet e autoriteteve shqiptare dhe të qëndroni në izolim për 14 ditë, për të evituar masa disiplinore;

Mund të kërkoni shtyrje të qëndrimit 90 ditor në Komisariatin e Policisë ku keni vendqëndrimin aktual, vetëm në rast të karantinimit për shkak të virusit Covid-19, ose të problemeve të rënda shëndetësore të vërtetuara me raport mjekësor nga mjeku qe trajton sëmundjen tuaj.

Për çdo sqarim të mëtejshëm ose nevojë emergjente, ju mund të kontaktoni në telefonin e emergjencës së Ambasadës i cili funksionon 24/7: +306941658183, ose të dërgoni e-mail në adresën elektronike: [email protected].’

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit