Emigranti nga Mynihu: "Na kanë intimiduar që të mos marrim pjesë në protestë, nuk do të na ndalin"

Emigranti nga Mynihu: “Na kanë intimiduar që…

Protesta e 35-të qytetare në Tiranë është shoqëruar me pjesëmarrjen e dhjetëra shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët kanë marrë fjalën përpara protestuesve dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për lëvizjen.

Një prej tyre, një emigrant shqiptar nga Mynihu i Gjermanisë, hodhi akuza të forta gjatë fjalës së tij, duke pretenduar se ka pasur përpjekje për të intimiduar qytetarët që të mos merrnin pjesë në protestë.

Sipas tij, pavarësisht presioneve të pretenduara, protestuesit nuk do të tërhiqen dhe do të vazhdojnë të dalin në shesh deri në arritjen e qëllimit të tyre.

“Kam një mesazh për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Me infiltrimet që kanë bërë këto ditë për të na intimiduar që të mos vijmë këtu, ne i themi se atdhedashuria është më e madhe se frika. Ne do të jemi këtu deri në dorëheqjen e tij. Asnjë arrestim, asnjë infiltrim nuk na përçan. Do të jemi këtu çdo ditë e më shumë.”, u shpreh ai para protestuesve.

Deklarata e emigrantit u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit, ndërsa organizatorët theksuan edhe një herë se protestat do të vijojnë në ditët në vazhdim.

Në protestën e sotme morën pjesë edhe shumë shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës dhe më gjerë, duke iu bashkuar qytetarëve në Tiranë në atë që organizatorët e kanë cilësuar si një protestë mbarëkombëtare.

Deri në këto momente, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet lidhur me pretendimet e ngritura nga emigranti për intimidim të pjesëmarrësve në protestë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit