Emigranti shqiptar denoncon mashtrimin e Dr. Mala Ali Kurdistani: Më mori 1.400 Euro!

Emigranti shqiptar denoncon mashtrimin e Dr. Mala…

Një denoncim i ardhur në redaksinë tonë ka zbuluar një rast mashtrimi që lidhet me një person të vetëshpallur si mjek. Një emigrant shqiptar që jeton në Itali ka ndarë historinë e tij për t’i paralajmëruar të tjerët mbi një mashtrim të mundshëm që mund të ketë prekur edhe individë të tjerë.

Në mesazhin e tij, emigranti shpjegon se kishte parë një person në rrjetet sociale, të quajtur Dr. Mala Ali Kurdistani, i cili shpërndante video dhe informacione për trajtime mjekësore që ndihmonin njerëzit e sëmurë. Ky person, i njohur për disa nga ndjekësit e tij në Facebook, kishte shpërndarë histori të pacientëve që, sipas tij, ishin shëruar falë shërbimeve që ai ofronte.

Për të ndihmuar mbesën e tij, e cila ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, emigranti vendosi të kontaktojë këtë “doktor” dhe t’i paguajë 1.400 euro për trajtimin që ai premtoi. Pas pagesës ai e kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi. Në bisedat që ka sjellë qytetari, vihet re se “mjeku” kërkonta që ta bindte se ai dhe asistenti i tij ishin arrestuar nga policia Italiane, dhe se i duheshin edhe 800 euro. Fotot që mashtruesi i dërgonte ishin të shkarkuara nga Google.

Në denoncimin e tij, emigranti shpjegon se nuk kërkon të marrë paratë e tij, por thjesht dëshiron që ky mashtrim të bëhet publik dhe që të tjerë të mos bien në të njëjtën kurth. Ai shprehet se ky individ mund të ketë mashtruar shumë të tjerë, duke përfshirë ata që mund të kenë marrë para hua për të financuar trajtimin, por që nuk kanë mundësi t’i paguajnë ato.

“Jam një shqiptar emigrant qe jetoj në Itali dhe kam mbesën time sëmur u njoha me këtë person nga Facebook-u sepse ky person hidhte video qe shëronte njerëz te sëmur dhe kështu mendove dhe un për mbesën te beja një gjë te mirë qe te shërohesh por ky doktor mashtrues me mashtroi dhe me mori 1.400€ Un nuk i dua me ato para por me shumë po e bej këtë gjë qe ndoshta mos te mashtrohen njerëz te tjerë sepse ndoshta marrin dhe para hua dhe nuk u paguajnë dot dhe i mashtron mashtruesi, thjesht po e bej për njerëzit QE mos te mashtrohen nga ky lloj njeriu Ju faleminderit “ shkruan ai.

Në rrjetet sociale, Dr. Mala Ali Kurdistani është paraqitur si një mjek i njohur, i cili ka një audiencë të gjerë dhe shumë ndjekës. Megjithatë, dyshimet për profesionalizmin dhe ligjshmërinë e tij janë rritur, duke i bërë njerëzit të kërkojnë më shumë informacion për këtë individ që ka krijuar një reputacion të dyshimtë.

Ky denoncim vjen si një paralajmërim për të gjithë ata që janë të ekspozuar ndaj mashtrimeve online dhe për ata që mund të kërkojnë shërbime mjekësore nga individë të paakredituar, të cilët shfrytëzojnë nevojat e njerëzve të sëmurë për përfitime financiare.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit