Emigrimi, plakja e popullsisë dhe niveli i ulët i pjesëmarrjes në trajnim po e tkurrin ndjeshëm forcën e punës në Shqipëri, duke rritur vështirësitë e bizneseve për të gjetur punonjës të kualifikuar. Sipas raportit të OECD-së për vitin 2026 mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, popullsia rezidente ka rënë me rreth 430 mijë banorë mes viteve 2011-2023, ndërsa mbi 1.2 milionë shqiptarë jetonin jashtë vendit në vitin 2024. Raporti thekson se emigrimi, sidomos i punonjësve të kualifikuar, dhe normat e ulëta të lindshmërisë po ushtrojnë presion të madh mbi tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, plakja e popullsisë po ngushton më tej bazën e fuqisë punëtore. Mosha mediane është rritur nga 35.5 në 44.3 vjeç që nga viti 2011, ndërsa popullsia në moshë pune është tkurrur me 18.3%. Rreth një në pesë banorë është mbi 65 vjeç, ndërsa numri i të rinjve vijon të bjerë. Sipas raportit, 95% e bizneseve kërkojnë masa më të forta për të mbajtur talentet në vend dhe për të adresuar mungesën e stafit të specializuar.
OECD vëren gjithashtu se vetëm 1.6% e të rriturve morën pjesë në arsim ose trajnim gjatë vitit 2024, shumë larg mesatares së Bashkimit Europian prej 13.3%. Ndërkohë, vendet e lira të punës u rritën në mbi 61 mijë gjatë vitit 2023, ndërsa papunësia mbeti në 9.4%, duke treguar një mospërputhje të theksuar mes aftësive që kërkon tregu dhe atyre që ofron forca ekzistuese e punës. Raporti paralajmëron se pa investime më të mëdha në rikualifikim dhe trajnim, ky hendek mund të thellohet dhe të frenojë rritjen ekonomike.