Emigrimi masiv dhe degradimi i tregut të punës po boshatisin Shqipërinë nga fuqia punëtore

Emigrimi masiv dhe degradimi i tregut të…

Të rinjtë po largohen drejt vendeve me paga dhe kushte më të mira, ndërsa Shqipëria përballet me paga të ulëta, korrupsion dhe punësim klientelist

Shqipëria po përjeton një eksod të heshtur të fuqisë punëtore, me mijëra qytetarë që braktisin vendin për të kërkuar paga më të mira dhe kushte më dinjitoze pune në vendet e Bashkimit Europian. Në sfondin e kësaj valë të re emigracioni, rënia e numrit të popullsisë në moshë pune po shndërrohet në një kërcënim serioz për tregun vendas dhe të ardhmen ekonomike të vendit.

Sipas të dhënave zyrtare, periudha 2023-2025 ka shënuar një reduktim dramatik të popullsisë aktive. Brenda një viti, popullsia në moshë pune u tkurr me mbi 320 mijë vetë, për të rënë nga 1.86 milionë në rreth 1.54 milionë. Vetëm në vitin 2025, ky numër ra sërish në 1.5 milionë, duke regjistruar një humbje totale prej më shumë se 444 mijë personash krahasuar me vitin 2012, kur numri ishte më i larti ndonjëherë.

Grupmosha 20–24 vjeç është goditur më rëndë, me një rënie tronditëse prej 48% në një dekadë. Kjo moshë përbën thelbin e fuqisë së re punëtore, por gjithnjë e më shumë të rinj po largohen drejt Italisë, Gjermanisë apo Mbretërisë së Bashkuar, ku puna shpërblehet ndershmërisht dhe kushtet e jetesës janë më të mira.

Në vendin tonë, standardet e punësimit vazhdojnë të përkeqësohen. Klientelizmi është kthyer në normë, punësimi shpesh kalon përmes partive politike, dhe në shumë raste kërkohen ryshfete për të siguruar një vend pune. Kjo klimë e deformuar ka çuar në zhgënjim masiv dhe ka shtyrë qytetarët të mos shohin më asnjë perspektivë brenda Shqipërisë.

Përveç korrupsionit dhe mungesës së meritokracisë, paga mesatare në Shqipëri mbetet tejet e ulët. Shumë punëtorë me arsim profesional apo universitar detyrohen të punojnë për paga që mezi sigurojnë mbijetesën, ndërkohë që kostot e jetesës vijojnë të rriten. Kjo kontrast i thellë midis përpjekjes dhe shpërblimit po i shtyn të rinjtë të zgjedhin emigracionin si rrugë të vetme shpëtimi.

Jo vetëm të rinjtë po largohen. Edhe grupmosha 45–54 vjeç, dikur më e qëndrueshme, po tkurret ndjeshëm, duke nxjerrë në pah një problem të madh afatmesëm për fuqinë punëtore në vend. Ndërkohë, grupmosha 60–64 vjeç është e vetmja që po rritet, një sinjal i qartë për plakjen e popullsisë dhe mungesën e brezit të ri që duhet ta zëvendësojë.

Të gjitha këto tregojnë se Shqipëria po humbet me shpejtësi një pjesë jetike të kapitalit të saj njerëzor. Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të përmirësuar kushtet e punës, rritur pagat dhe ndaluar ndërhyrjet politike në punësim, vendi rrezikon të mbetet pa punëtorë, pa të ardhme dhe me një treg pune gjithnjë e më të varfëruar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit