Emmanuel Macron po përjeton qetësinë përpara furtunës

Emmanuel Macron po përjeton qetësinë përpara furtunës

Nga Gavin Mortimer, Spectator

Sot nis muaji im i tretë i izolimit në apartamentin tim në katin e pestë në Paris. Siç kam shkruar disa javë më parë, menjëherë pasi presidenti Macron i shpalli ‘luftën’ e tij koronavirusit, kam adoptuar psikologjinë e një të burgosurit për të parë përmes asaj që mendoja në fillim se mund të ishte një izolim gjashtëjavor.

Nuk gabova. Të hënën e 11 majit do të lirohem, por nuk mund të them se po numëroj sekondat me padurim. Jo se dua të qëndroj i mbyllur, por nuk jam i sigurt nëse jeta ime do ndryshojë shumë në një kohë të shkurtër pasi të rimarr lirinë time: nuk ka barë apo restorante të hapur, as kinema dhe as teatro, nuk ka sport për të ndjekur dhe nuk mund të udhëtosh përtej një rreze prej 100 km. Nuk do të jetë një verë argëtuese. Megjithatë do të jetë gjë e mirë që mund të dalim pa pasur nevojë të plotësojmë një formular leje. Jo se ka qenë keq, sigurisht jo ai shteti policor që pretendojnë disa komentatorë të huaj.

Disa javë më parë, John Humphrys i Daily Mail shkruante se policia dorë-rëndë franceze po kontrollon nëpër shportat e blerjes së njerëzve për të parë nëse kanë marrë vetëm gjërat themelore. Nuk e di nga e ka marrë informacionin zoti Humphrys, por as nuk kam dëgjuar dhe as kam lexuar për incidente të tilla. Në fakt u bënë javë që kur kam parë për herë të fundit policinë në rrugët e Parisit. Ishte e premtja e Pashkëve, nëse kujtesa më shërben mirë, dhe u shkëmbeva me një patrullë prej katër policësh teksa shkoja në shtëpi nga supermarketi. U buzëqesha dhe u urova një ditë të mbarë dhe ma kthyen përshëndetjen. Asnjëherë nuk jam ndaluar nga ndonjë oficer policie që të më kërkojë formularin e lejes dhe kartën e identitetit dhe as tre miqtë e mi me të cilët u këshillova para shkrimit të këtij artikulli.

Dyshoj se shumica e policisë në Francë- me përjashtim të atyre që janë vendosur në pikat e nxehta në periferi- kanë pasur një pushim të fituar mirë. Ata e meritojnë atë pas vitesh përplasje me grevistët, Islamistët dhe Jelekverdhët.

Policia në Francë zakonisht e kalon 1 Majin duke u përleshur me anarkistët dhe ekstremistët e majtë, ndërsa ata mbajnë protestën e tyre tradicionale nëpër Paris. Vitin e shkuar, qindra u tërbuan duke plagosur 14 oficerë policie. Më 1 Maj të vitit 2018, protestuesit e maskuar i vunë zjarrin një restoranti McDonalds dhe dogjën dhjetëra makina; thuhet se çdo re ka edhe një vijë argjendi, në këtë rast koronavirusi e kurseu Francën nga anarkia vjetore e 1 Majit. Në vend të kësaj u mbajt një protestë online me sindikatat që bënë thirrje për të pushtuar rrjetet sociale për një të ardhme ekologjike, sociale, feministe dhe demokratike.

Është e habitshme në fakt që anarkistët e Francës kanë qenë kaq të bindur ndaj izolimit. Supozoja se një bllokim i tillë kaq drakonian do të ishte një sulm ndaj çdo anarkisti të vetërespektuar. Gjithmonë kam pasur dyshime se shumica e anarkistëve në Francë janë studentë të klasës së mesme dhe ndoshta mungesa e tyre në rrugë vjen pasi po kalojnë izolimin në shtëpitë e pushimit të prindërve të tyre buzë detit.

Një masë tjetër e shpallur nga qeveria është mbajtja e detyrueshme e maskave në të gjithë transportin publik dhe taksitë. Ato do të jenë të detyrueshme edhe kur të rihapen shkollat nga 11 maji.

Ka qenë interesante të vëzhgosh përhapjen e vazhdueshme të maskave në Paris.

Kur filloi mbyllja, pak parisienë u shqetësuan, por tani do të vlerësoja se 50 përqind e njerëzve në rrugë mbajnë një të tillë. Dritarja e kreperisë së zonës është kthyer në vitrinë të maskave të punuara me dorë, me një larmi modelesh, dhe gjykuar nga ngjyrat që shoh në rrugë, kjo zgjuarsi po korr me sukses shpërblimin.

Unë nuk kam një maskë, por më pas kam vënë re se pak burra të moshës sime e mbajnë atë, përveç punëtorëve esencialë. Nga vëzhgimet e mia, maskat janë më të përhapura te gratë e klasës së mesme dhe moshës mes 30 dhe 60 vjeç. Ato janë më të prirura që të shmangen kur u afrohesh në rrugë, edhe pse kjo mund të vijë nga ajo që konstatoi vajza ime kohët e fundit se unë nuk mbaj maskë dhe mbi të gjitha e kam hundën e përthyer dhe veshët si lulelakër.

Në përgjithësi unë mendoj se kam pasur një ‘luftë’ të mirë, ashtu si francezët në përgjithësi, një konstatim i bërë javën e shkuar nga Christophe Castaner, ministri i Brendshëm, që vlerësoi disiplinën e vendit.

Sidoqoftë nuk mund të mos mendoj se problemet e presidentit Macron do të fillojnë sapo të mbyllet izolimi. Franca është zhytur në recesion pasi PBB e saj është kontraktuar me 5.8 përqind në tre muajt e parë të vitit 2020, tkurrja më e keqe që pas Luftës së Dytë. Me një perspektivë kaq të zymtë me siguri problemet më të mëdha do i ketë policia, pasi pas këtyre shtatë javëve izolim, motin e mirë e kanë shfrytëzuar më mirë anarkistët, ekstremistët, sindikalistët, oportunistët dhe jelekëverdhët. Ata kanë rikarikaur bateritë dhe lista e ankesave po rritet nën dritën e diellit pranveror, me Unionin e Majtë që paralajmëron greva sapo të mbyllet izolimi pasi nuk duan të paguajnë për “një krizë të gjeneruar nga zgjedhjet politike të një sistemi vdekjeprurës kapitalist”.

Bonne shanse, Monsieur le president, ju e keni fituar ‘luftën’, por paqja do jetë më e vështirë për t’u zotëruar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit