Enkel Demi: Ka qenë një gjë e bërë gati, policët kanë qenë pa shenjat e tyre identifikuese

Enkel Demi: Ka qenë një gjë e…

Gazetari Enkel Demi ka dënuar dhunën e përdorur nga policia gjatë protestës së djeshme tek Teatri Kombëtar, ndërsa u shpreh se “Nuk besoj se baba i tyne i ka rraf, por dje i ka rrah baba i kombit”.

Gjatë emisionit të tij “Abc e Mëngjesit”, gazetari Enkel Demi tha se është i papranueshëm fakti që kryeministri Rama i është përgjigjur komentuesve në rrjetet sociale se gjatë protestës së ndodhur mëngjesin e të dielës kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, nuk ka pasur përdorim të dhunës.

“Ajo dje ka qenë një gjë e bërë gati. Policët kanë qenë pa shenjat e tyre identifikuese. Të hedhësh në terren Policë pa shenja identifikuese ka vetëm një arsye, që të mos kesh mundësi të ankohesh”, tha Enkel Demi.

Ndërsa më tej shtoi, se “Drejtuesit e Policisë kanë shfrytëzuar disa njerëz të cilët i kanë lënë 12 , 13 apo 14 orë pa bërë ndërrime. Në kushtet ku ditën e djeshme çdo gjë ka qenë e mbyllur. Pavarësisht se dua ta them që jo të gjithë ishin të zellshëm, ata të cilët janë policë të zellshëm, kam bindje absolute që janë policë politik. Ata që kanë një karrierë mbi supe mundoheshin ta shmangin.

Është përdorur një metodologji e para vitit 90’ që edhe policët të ishin të brishtë në momentin që kanë ndërhyrë sepse të qëndrosh, pa pirë , pa ngrënë, në këmbë 12 orë nën presionin e turmës, reagimi mund të ishte vetëm i tillë, pavarësisht se nuk dua të justifikoj policët, thjesht po them metodologjinë e përdorur”, u shpreh gazetari.

Gjithashtu ai kujtoi edhe ngjarje të kaluara, në një moment ka përmendur edhe përdorimin e dhunës ndaj kryeministrit Edi Rama.

“Një nga ditët e mia më të trishta , besoj edhe e jotja ka qenë kur kanë rrahur Edi Ramën, kur i hapën kafkën Edi Ramës”, tha Demi.

“Ne kemi qenë në atë kohë, ata të paktë zëra të dobët , sepse në atë kohë nuk ka pasur as media që të denonconin atë dhunë barbare. Edi Rama duket se është kompleksuar nga druri që ka ngrënë dikur sepse nuk ka mundësi që të dalë në televizion dhe të thotë se nuk ka pasur dhunë. Kjo është shumë e rëndë, për vetë atë”, u shpreh Enkel Demi.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit