Epidemiologu Muka: Shkollat nuk duhen mbyllur, virusin nuk e përhapin asimptomatikët

Epidemiologu Muka: Shkollat nuk duhen mbyllur, virusin…

Epidemiologu Taulant Muka, i pranishëm në emisionin “Abc e Mëngjesit”, u shpreh sot kundër mbylljes së shkollave.

Muka tha se fëmijët përgjithësisht janë asimptomatikë dhe nga studimet e reja rezulton se asimptomatikët kanë shumë pak gjasa që ata të transmetojnë virusin.

“Nuk mendoj se është zgjidhja e duhur. Mund të mbyllen shkolla të caktuara, por jo të gjitha shkollat. Mund të mbyllen shkollat në ato zona ku ka mësues të infektuar. Në Zvicër po zhvillohet beteja lokale, pra çdo qytet apo kanton merr vendime në varësi të kurbës së përhapjes së infeksionit”, tha Muka, i cili prej vitesh jeton jashtë vendit.

Ai u shpreh se vërtet shkollat shqiptare mund të kenë probleme lidhur me kushtet, por e rëndësishme është që shkollat të vijojnë.

“Vendimet që merren në Shqipëri janë “copy paste” nga Italia. Pse një fëmijë nën 12 vjeç duhet të mbajë maskë? Maska është kthyer në një simbol politik, po të kihet parasysh se nuk respektohet distancimi fizik”, tha Muka.

Sipas tij, edhe vendimi për vendosjen e orës policore ishte një “copy paste”.

“Pse ndalohet dalja e qytetarëve pas orës 22:00? Unë jam dakort që të mbyllen baret, por jo të ndalohet shëtitja”, tha Muka.

Ai u shpreh se përhapja e infeksionit nuk bëhet nga asimptomatikët, por nga ata që kanë simptoma dhe që mundet të mos respektojnë karantinën.

Burimi: Bold News

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit