Epidemiologu Ulqinaku: COVID-19 do të prekë edhe ata që do të vaksinohen

Epidemiologu Ulqinaku: COVID-19 do të prekë edhe…

OBSH ka dhënë parashikime të zymta lidhur me COVID-19 qoftë për faktin se pritet të ketë një valë të dytë epidemie, edhe për faktin se virusi mund të mos zhduket kurrë, pavarësisht se mund të dalë një vaksinë për të.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, mjeku epidemiolog Dritan UIqinaku tha se pavarësisht gjendjes së qetë që po kalon tashmë një pjesë e botës, përfshirë edhe Shqipërinë, vështirë që virusi të shkojë në zero.

Madje sipas tij, fakti që edhe 4-5 muaj pas shfaqjes së rastit të parë virusi nuk jep shenja zhdukjeje dhe tashmë ka shpërthyer në hemisferën jugore, tregon se ai jeton edhe në temperatura të larta dhe mund të rikthehet sërish në vjeshtë dhe dimër.

“Për nga mënyra e transmetimit, unë do ta krahasoja më shumë me virusin e gripit se sa me HIV. Fakt është se kanë kaluar 4-5 muaj që ky virus nuk po jep shenja zhdukjeje. Rastet më të shumta për momentin janë në hemisferën jugore, në Amerikën Latine. Kjo tregon që ky virus jeton edhe gjatë verës, çka na bën të dyshojmë se në vjeshtë e në dimër do të rikthehet përsëri”, tha epidemiologu.

Sa i përket vaksinës kundër COVID-19, që aktualisht po provohet nga shumë vende të botës, epidemiologu theksoi se vaksinat janë me shkallë të ndryshme të efikasiteti. Ai mori si shembull vaksinën e fruthit që është një nga më efikaset në botë, por shpesh edhe fruthi shpërthen aty ku gjen hapësirë.

“Vaksinat nuk mund të mbrojnë 100 për qind. Pra, ky virus do prekë edhe ata që janë vaksinuar, nëse do të ketë një vaksinë”, tha mjeku.

Lidhur me pyetjen që bëjnë të gjithë kohët e fundit, kur po afron edhe plazhi, se a rrezikohemi të infektohemi nga COVID-19 teksa lahemi në det, bashkë me njerëz të tjerë mjeku Ulqinaku e përjashtoi kategorikisht këtë gjë.

“Nuk shoh asnjë rrezik që qytetarët të lahen në det. Është menduar që uji favorizon grumbullimet, por uji nuk ka asnjë lloj rreziku që të bëhet mjet transmetimi ndaj COVID-19”, tha mjeku. /Boldnews

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit