Erdogan i ndalon hyrjen në Turqi kroçeres me 1900 person LGBT: Nuk përputhen me vlerat tona familjare

Erdogan i ndalon hyrjen në Turqi kroçeres…

Turqia ka refuzuar hyrjen në portet e saj të një kroçere të organizuar për udhëtarë amerikanë LGBTQ+, duke detyruar organizatorët të ndryshojnë itinerarin vetëm pak ditë para nisjes.

Anija Scarlet Lady, e cila do të nisej më 5 korrik nga Greqia dhe kishte planifikuar ndalesa në Kuşadası dhe Stamboll, nuk do të ankorojë më në Turqi. Në vend të kësaj, ajo do të ndalet në Egjipt dhe në ishullin grek të Kretës.

Autoritetet turke e justifikuan vendimin duke deklaruar se aktiviteti nuk përputhet me “vlerat morale” dhe “vlerat familjare” të vendit. Sipas tyre, grupi që kishte marrë me qira anijen është i njohur për sjellje “të papajtueshme me strukturën e shoqërisë”.

Nga ana tjetër, kompania organizatore Atlantis Events e ka cilësuar vendimin si diskriminues dhe të paprecedentë. Organizatorët theksuan se gjatë 36 viteve të aktivitetit të tyre nuk u ishte ndaluar asnjëherë hyrja në një shtet për shkak të identitetit të pasagjerëve.

Në këtë kroçerë pritet të udhëtojnë rreth 1.900 persona, ndërsa mbi 1.100 prej tyre janë shtetas amerikanë.

Ky vendim vjen në një periudhë kur qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka forcuar retorikën dhe politikat ndaj komunitetit LGBTQ+, ndërsa marshimet e Pride në Stamboll janë të ndaluara që prej vitit 2015.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit