Erdogan shpërthen ndaj qeverisë izraelite: Netanyahu pengesë për paqen

Erdogan shpërthen ndaj qeverisë izraelite: Netanyahu pengesë…

Në një fjalim të mbajtur në sesionin e 51-të të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Stamboll, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sulmoi me tone të ashpra veprimet e Izraelit në Lindjen e Mesme, duke e akuzuar këtë të fundit për një strategji të vazhdueshme dhune, shkatërrimi dhe pushtimi të mbështetur fuqishëm nga Perëndimi.

“Për dy vite rresht, Izraeli ka ndjekur politika të shkatërrimit, pushtimit dhe dhunës, dhe për këtë ka marrë mbështetje të pakushtëzuar nga vendet perëndimore. Izraeli nuk ka sulmuar vetëm Gazën, por edhe Libanin, Jemenin dhe Sirinë. Tani, edhe fqinji ynë Iran është përballë terrorizmit shtetëror izraelit”, deklaroi Erdogan, duke adresuar udhëheqësit e vendeve myslimane.

Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai e cilësoi qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu si “pengesën më të madhe për paqen rajonale”, ndërsa dënoi pa mëdyshje agresionin izraelit ndaj territorit iranian.

Duke theksuar rëndësinë e vendeve të shenjta për myslimanët, Erdogan nuk la pa përmendur edhe sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa: “Shënjestrimi i shenjtërisë së Qiblës sonë të parë, Xhamisë Al-Aksa, dhe përpjekjet për të uzurpuar këtë shenjtëri janë të papranueshme,” tha ai, duke e cilësuar këtë si një akt provokues me pasoja të rënda.

Në fund, presidenti turk solli një krahasim historik të ngarkuar me paralajmërim: “Ashtu si shkëndija e ndezur nga Hitleri 90 vjet më parë që dogji botën, po ashtu edhe ambiciet sioniste të Netanyahu-t nuk kanë tjetër qëllim veçse të tërheqin botën drejt një katastrofe,” theksoi Erdogan, duke lënë të kuptohet se përballja me këto zhvillime nuk është vetëm çështje e Lindjes së Mesme, por një sfidë globale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit