Ergys Verdho “shpërblen” me 2 miliardë lekë Paqsor Buzin

Ergys Verdho “shpërblen” me 2 miliardë lekë…

Paqsor Buzi është administrator dhe pronar me 50% të aksioneve i kompanisë G.P.G. COMPANY. Kohët e fundit kompania e tij dukej sikur kishte rënë në një gjumë letargjik pasi prej disa muajsh, përveç ndonjë përjashtimi të veçantë, nuk kishte marrë pjesë apo fituar ndonjë tender. Megjithatë kohët e fundit vihet re një aktivizim i saj tek tenderat publikë e normalisht duke u shpallur edhe fituese. Në rastin më të fundit bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar i drejtuar nga i përhershmi Ergys Verdho.

Tenderi mban numrin e referencës REF-90295-03-17-2021 dhe ka si objekt “Përmirësim i Sinjalistikës Horizontale në Akset dhe Segmentet Rrugore të Rajonit Qëndror”. Fondi limit i kësaj procedure prokurimi ka qenë 166,586,721 lekë të reja pa TVSH. Duke hulumtuar dokumentacionin përkatës të tenderit, vihet re se në të kanë marrë pjesë 8 kompani apo bashkime kompanish. Fitues është shpallur bashkimi i 3 kompanive, R.S & M + SI.SI-AL + GPG COMPANY. Përveç kompanisë së paqsor Buzit, fitues janë shpallur edhe dy kompanitë e përmendura më parë.

Gjatë një hulumtimi të pronësisë së këtyre dy kompanive të tjera, rezulton se ato në fakt drejtohen nga e njëjta familje. Përkatësisht në njërën prej tyre është pronar babai ndërsa në tjetrën është pronar djali. Kështu, firma “R. S. & M.” SHPK ka për administrator dhe pronar biznesmenin Nikolla Çaçi ndërsa firma “SI.SI-AL” SHPK ka për administrator Stefan Çaçi i cili është në fakt edhe djali i Nikolla Çaçi-t.

Vlera e ofruar prej tyre është 158.942.071 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Vihet re ndërkaq se njëra nga kompanitë pjesëmarrëse ka ofruar vlerë zero, një fakt mjaft i çuditshëm ky nëse gara do të ishte normale. Nga ana tjetër shikohet se është skualifikuar një kompani e cila ka ofruar gati 200 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak sesa fituesit. Përtej kësaj, siç ndodh rëndom në tenderat e dyshimtë, vlera fituese është thuajse identike me vlerën e fondit limit të tenderit, përkatësisht sa 95.41% e tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit