Pàndemia/ Erion Veliaj, 21 tendera në 45 ditë kàrantinë

Pàndemia/ Erion Veliaj, 21 tendera në 45…

Nga mesi i marsit deri në fund të prillit, sipas një vëzhgimi të MAPO, rezulton se Bashkia e Tiranës ka zhvilluar rreth 21 tendera, ku mes tyre spikat tenderimi prej 24 milionë lekësh për blerje suveniresh apo 16 milionë lekë të tjerë për blerjen e ujit të pijshëm për administratën, megjithëse në varësi të Veliajt është ujësjellësi i Tiranës. Ndërkohë jep dhe 300 milionë lekë për “shërbim konsulence” për kullotat e “Pezës” , “Sheshit” dhe “Kërrabës”, ndërsa buxhetit të shtetit i mungojnë 1.2 miliard euro

Megjithëse kemi qenë në kulmin e pandemisë, Bashkia e Tiranës, duket se ka qenë një ndër institucionet që ka zhvilluar më shumë tendera, ndoshta se dhe vetë institucionet që u duhej të përballeshin direkt me COVID-19. Nga një vëzhgim i kryer në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) ka rezultuar se vetëm në periudhën, gjysma e marsit -fundi i prillit, ky institucion ka zhvilluar të paktën 21 tendera, ku disa prej tyre mund edhe të shmangeshin në këtë periudhë të vështirë.

Kështu rezulton se kur shqiptarët lanë vendet e punës për shkak të karantinimit, Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj organizonte tender për blerje suveniresh në vlerën e 2.4 milionë lekëve të rinj apo 24 milionë lekë të vjetër. Tenderi duke iu referuar buletinit është njoftuar më 17 mars dhe hapur më datë 23 mars. Gjithashtu, në po këtë periudhë, hapet dhe tenderi për rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik, me vlerë 9.9 milionë lekë, apo rikonceptimi i këndit të lojërave në Rrugën e Elbasanit, me vlerë rreth 30 milionë lekë apo 300 milionë të vjetër.

Të tjerat janë rikonstruksione rrugësh apo dhe blerje uji të pijshëm për administratën e Bashkisë në masën 16 milionë lekë të vjetër, megjithëse në varësinë e institucionit të Bashkisë është dhe ndërmarrja e Ujësjellësit që duhet të sigurojë ujë të pijshëm për banorët e qytetit. Në 45 ditë karantinë, nga Bashkia e Tiranës janë zhvilluar të paktën 21 tendera me vlerë miliona euro. Shumë prej tyre, nuk shfaqnin asnjë emergjencë.

Tenderi

Pandemia shkaktoi një dëm prej gati 1.2 miliard eurosh dhe një rritje të borxhit me më shumë se 10 përqind, për shkak të karantinimit. Por duket se, nga ana e institucioneve shtetërore vazhdohet të veprohet sikur jemi në kushte normale. Më poshtë vjen një tjetër tender i Bashkisë së Tiranës, me vlerë rreth 30 milionë lekë i zhvilluar në gusht të këtij viti, (300 milionë të vjetër), ku bëhet fjalë për një “shërbim konsulence” që ka të bëjë me “Hartimine planeve të mbarështimit të fondit pyjor dhe kullosor për ekonominë pyjore “Pezë, “Shesh”, “Kërrabë-Gurrë””.

Në fakt tenderi është hapur që më datë 2 dhjetor të vitit të kaluar, por fituesi është shpallur tani. Procedurat janë zhvilluar përgjatë pandemisë, dhe në kohën kur Kryeministri Rama, u kërkonte institucioneve të anulonin tenderat e panevojshëm. Këto shuma parash shpenzohen në një kohë kur ende shumë familje janë në vështirësi ekonomike për shkak të humbjes së vendeve të punës apo dhe atyre që presin nga institucionet rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.

Natyrisht, punët e qytetit kërkojnë vazhdimisht tenderime, siç është pastrimi ose ndonjë rrugë në emergjencë, por mbarështimi i fondit kullosor, për “Pezën”, “Sheshin” apo “Kërrabën”, mund të bëhej dhe në një moment tjetër. Ashtu siç mund të priste dhe blerja e suvenirëve që është bërë në kulmin e pandemisë, rikonceptimi i Kopshtit Zoologjik e të tjera me radhë. Këtu nuk po përmendim tenderat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, të cilat kanë luksin të shpenzojnë jo pak, por 6.4 milionë lekë për module lodrash e të tjera si këto. Ky institucion në faqen zyrtare të internetit del në varësi të Bashkisë Tiranë.

Abuzimet

Ndërkohë ditën e djeshme mediat folën dhe për dy tendera të tjerë të dyshimtë në një kohë kur buxheti i shtetit ka marrë goditje të fortë. E para bën fjalë për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku drejtoresha e këtij institucioni ka zhvilluar një tender për gjurmimin e inspektorëve tatimorë, me vlerë rreth 1.2 milion euro.

Pra, vendosjen e GPS për të parë në kohë reale se ku ndodhen inspektorët e tatimeve. Një tender i pakuptimtë, pasi puna e inspektoratit tatimor bëhet e planifikuar dhe në çdo moment, dihet se ku janë dhe ku po kryejnë kontrolle. Një tjetër denoncim u bë dhe për ARRSH, ku në media flitet për një dëm prej gati pesë milionë eurosh në rrugën që të çon në Porto-Romano në Durrës.

Procedurat

Në fakt pot’i hedhësh një sy me imtësi tenderave të zhvilluara së fundmi, do shohësh se shumë prej tyre bëhen me procedurë “negocim me propozim”. Kjo është një procedurë që përdoret rëndom për rastet e emergjencës, por nuk dihet se përse marrja e një kompanie të ruajtjes fizike të objekteve duhet të zhvillohet me këtë procedurë dhe të përjashtohen kompanitë e tjera, pasi ky është dhe qëllimi i tenderit.

Kjo procedurë vihet re më së shumti në blerje karburantesh për institucionet, në blerjet e ushqimeve për kopshtet dhe çerdhet apo në mirëmbajtjen dhe blerjen e pajisjeve dhe produkteve spitalore. Çka do të thotë se, tenderin vazhdon ta mbajë kompania që e ka pasur gjithmonë. Jo në pak raste ky është një mjet abuzimi dhe mënyrë për të marrë ryshfet nga drejtuesit e institucioneve, duke toleruar subjektet që më pas abuzojnë me çmimet e mallrave që u shesin institucioneve. Kjo praktikë është vënë re dhe në Bashkinë e Tiranës, sidomos në rastet kur bëhet fjalë për dezinfektimin e rrugëve apo për blerjen e mjeteve anticovid për punonjësit e saj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit