Edhe pse ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë nga qelia udhëzimet për nisjen e përgatitjeve të festave të fundvitit në kryeqytet. Në një njoftim zyrtar, Bashkia e Tiranës bëri të ditur se Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve ka filluar punën për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve në sheshe, rrugë kryesore dhe hapësira publike.
Sipas bashkisë, urdhri është dhënë “në zbatim të vendimit nr. 420, datë 08.06.2006 të Këshillit të Ministrave ‘Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë’”, që përcakton mënyrën e dekorimit të qyteteve në raste festash zyrtare. Në njoftim theksohet se zbukurimet duhet të përmbushin “standardet më të larta të sigurisë” dhe të respektojnë kriteret teknike dhe estetike të bashkisë.
Ky zhvillim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese më 3 nëntor, e cila shpalli të pavlefshëm si vendimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, ashtu edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme më 9 nëntor. Gjykata arsyetoi se mungesa e tij për shkak të paraburgimit nuk përbën “shkelje të rëndë” që justifikon ndërprerjen e mandatit.
Me këtë vendim, Erion Veliaj vijon ligjërisht të ushtrojë funksionet e kryebashkiakut të Tiranës, pavarësisht se ndodhet në qeli.